2011-02-08 14:29:41

Dialogu ndërfetar ndërmjet realitetit e perspektivave: intervistë me imzot Gashin e imzot Avgustinin.


Bashkëjetesa, respekti e dialogu ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, bazë për ndërtimin e një të ardhme më premtuese e për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave të panegociueshme siç është jeta, dinjiteti e të drejtat themelore të njeriut. Realiteti i bashkëjetës paqësore ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme ndër shqiptarë është shembull i mirë e kontribut i çmuar për shoqërinë, e kjo dukuri - pasuri duhet mbrojtur e kultivuar edhe në të ardhmen më me shumë kujdes përmes dialogut, përmes njohjes së njëri-tjetrit dhe ecjes së bashku udhës së respektit vëllazëror, të ndërgjegjshëm për thirrjen e tyre të përbashkët për ndërtimin e shoqërisë së bashkëjetesës e të jo kundër-shtimeve.
Me kryeipeshkvin e Tivarit, imzot Zef Gashin dhe ipeshkvin e Sapës, imzot Lucjan Avgustinin do të flasim mbi bashkëjetesën e respektin ndërmjet feve, në mënyrë të posaçme ndërmjet katolikëve e myslimanëve ndër shqiptarë. Kujtojmë se, vijimi i qetë i dialogut me fetë që besojnë në një Zot të vetëm është jo vetëm i mundshëm por madje edhe i domosdoshëm, siç është për shembull plotësisht i mundshëm ballafaqimi me fenë islame mbi temat e Krijimit, të jetës, të familjes, të lutjes, të agjërimit e jetës së pasosur.
Deri më tani janë arritur shumë fitore, sidomos në marrëdhëniet e besimtarëve që u përkasin feve të ndryshme, në mirëkuptimin ndërmjet tyre, gjë që ka ndikuar edhe në krijimin e një atmosfere më të ngrohtë edhe në takimet me përfaqësuesit e besimtarëve të feve të tjera, që janë zhvilluar në frymën e respektit reciprok, të përzemërsisë e të dialogut të vërtetë, që nuk i trembet këndvështrimeve të ndryshme.
Duam të citojmë këtu edhe fjalët e Papës Benediktit XVI në fillim të papnisë e tij: “Kisha dëshiron të vijojë ndërtimin e urave të miqësisë me ndjekësit e të gjitha feve, me qëllim që t’i shërbejë së mirës së vërtetë të çdo njeriu e të shoqërisë, në tërësinë e saj”. E ndonjë muaj më pas, përballë bashkësisë myslimane të Gjermanisë, Papa Racinger i ftoi Islamin e Përendimin të dialogojnë për të gjetur drejtpeshimin e fesë që nuk shkëputet nga arsyeja dhe theksoi: “Dialogu ndërkulturor dhe ai ndërmjet dy feve tona, nuk mund të kufizohet vetëm me disa takime, është nevojë jetike të dialogohet, nga e cila varet në një masë të madhe vetë ardhmëria jonë”.
Katolikët pra punojnë për emancipimin shoqëror, e Kisha do të vijojë ecjen në rrugën e dialogut, duke u kërkuar krerëve fetar respektimin e lirisë fetare e atë të ndërgjegjes për çdo njeri; ndërsa krerëve politikë, garancinë për krijimin e kushteve të sigurisë fizike të qytetarëve dhe impenjimin konkret kundër çdo diskriminimi e racizmi.
Fetë, pavarësisht nga mëkatet e ndjekësve të tyre, janë të thirrura të jenë shkollë të humanizmit e të vëllazërisë. Të dialogosh me prijësit e feve, është gjithnjë përvojë shpirtërore e çmueshme, që të ndihmon të zbulosh se liria fetare dhe bashkëjetesa e harmonishme janë kushte të domosdoshme për ndërtimin e shoqërive, kombeve e të miqësisë ndërmjet popujve e bashkësive fetare.

Kush beson, takohet! Para së gjithash, nuk janë fetë që dialogojnë, por besimtarët: njerëz fare normalë, pra, me të njëjtat probleme si të gjithë të tjerët. E këta njerëz, duke qenë besimtarë, kanë edhe një trashëgimi vlerash të përbashkëta, që u krijon mundësinë të kuptojnë jo vetëm se jemi të gjithë vëllezër pa dallim e pa përjashtim, por jemi edhe bij të Zotit. Kur besohet, për shembull, se çdo njeri ka marrë nga Krijuesi dinjitet unik; kur besohet në shërbimin ndaj të afërmit, ndaj një njeriu, që nuk e zgjodhe ti vetë, por të erdh në takim e shteg; kur besohet se Toka dhe pasuritë e saja janë lënë në duart e njeriut, për t’i shërbyer së mirës së përbashkët e të gjithë njerëzve: e gjithë kjo tregon se kemi për të thënë shumë gjëra të përbashkëta.
Fetë nuk janë burim përçarjeje, janë besimtarët ata që e tradhtojnë, nganjëherë këtë trashëgimi. Atëherë kush beson e takohet, duhet të jetë besimtar i palëkundshëm, i vërtet, në mënyrë që t’i çojë përpara detyrat e tij kryesore: pedagogjinë e të jetuarit së bashku; propozimin për ta dalluar të mirën nga e keqja; propozimin për ta pranuar të mirën e për ta refuzuar të keqën dhe urrejtjen; kujtimin e të drejtave e të detyrave, njëherësh me pasionin për të shërbyer e, së fundi, pergjegjësinë qytetare, që ka secili, sepse jemi besimtarë, por edhe qytetarë. Nuk jemi besimtarë ose qytetarë, por besimtarë e qytetarë njëherësh. E, natyrisht, gjëja më e rëndësishme, është dëshmia fetare, sepse si besimtarë ne nuk përhapim vlera humaniste: ne, të krishterët për shembull, përhapim kryesisht vlerat ungjillore, besimtarët e islamit, përhapin vlerat e kuranit e kështu me radhë. E atëherë mund të thuhet se ne, besimtarët, takohemi me historinë e sotme; e ka rëndësi që vëllezërit tanë, njerëz si ne, të kuptojnë atë, që shikojmë, vlerën e bashkëjetesës paqësore, “Portën e lumnisë”. Në fund të udhës së jetës, është Dikush që të pret, është Zoti. Mendoj se ky është mesazhi që ne, si besimtarë, duhet t’ua përcjellim të gjithëve.

Dialogu ndërmjet feve, madje ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, është i rëndësishëm edhe për sigurimin e paqes. Sigurisht, sepse po të mos jemi të aftë të jetojmë në paqe brenda bashkësive tona, ndërmjet nesh, do të thotë se paqja është e pamundur. Ndërsa ne e dimë se është e mundur! E themi gjithnjë se Zoti na bëri dy dhurata të mëdha: na dha mende, për të kuptuar dhe zemrën, për të dashur. Me mendjen e me zemrën tonë, ne mund të ndërtojmë botën e përbashkët, ta ndërtojmë e ta ndryshojmë botën tonë.
Është zemra ajo, që na shtyn të bëjmë vepra të mëdha. Është zemra, që kthehet në rrugën e Zotit; zemra, që ëndërron gjëra të mëdha, si paqja e respekti vëlllazëror. Një zemër e tillë, mund ta ndërtojë paqen e ta ruajë bashkëjetesën. E mbi bashkëjetesën e dialogun ndërmjet të krishterëve myslimanëve ndër shqiptarë, të dëgjojmë bisedën tonë me kryeipeshkvin e Tivarit, zimot Zef Gashin e ipeshkvin e Sapës, imzot Lucjan Avgustinin…..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.