2011-02-07 16:34:32

Tension ndërmjet Tajlandës e Kamboxhias


(07.02.2011 RV)Të shtëna janë dëgjuar sërish në afërsi të tempullit të Preah Vihear, i cili është bërë mollë sherri ndërmjet Kamboxhies dhe Tajlandës. Pikërisht aty kalon kufiri e secili nga vendet e do tempullin për vete. Ndeshjet ndërmjet forcave të armatosura vazhdojnë pavarësisht nga armëpushimi. Të premten e kaluar, ato shkaktuan vdekjen e katër vetëve, ndër të cilët dy civilë. Bilanci i viktimave, që nga viti 2008, ka arritur në 20 vetë. Sa ndikojnë motivacionet me karakter ekonomik në këto tensione, që herë pas here ashpërsohen? Pyetëm eksperten italiane për Tajlandën, Monika Çekareli, që punon për enciklopedinë “Asia Major”:
Sigurisht, ka shumë aspekte që fshihen pas rivendikimeve dhe ndeshjeve pasuese. U arrit në ndeshjen me armë, pas protestës së të ashtuquajturve “këmishëverdhë”, të cilët deklarojnë se tempulli i përket Tajlandës. Ekonomia është e rëndësishme, sepse ka të bëjë me turizmin. Tajlanda e ka turizmin në vendin e dytë të Prodhimit të Brendshëm Brut, i cili, në këto vite problematike, ka rënë pothuaj pingul poshtë. Ndërsa Kamboxhia, nga pikpamja turistike, po tërheq investimet e firmave shumëkombëshe e po rritet. Sigurisht, një nga vendet turistike më të bukura është pikërisht tempulli i Preah Vihear. Prandaj, lufta bëhet edhe për të siguruar një thelë jo pak të rëndësishme turizmi, që do të thotë fitime ekonomike.
Ç’mund të presim pas këtyre ndeshjeve për një tempull, që në fund të fundit është një hapësirë prej katër kilometrash katrore?
Në këtë çast, është e vështirë të parashikohet se si do të shkojë puna. Sigurisht, marrëdhëniet e Tajlandës me Kamboxhian janë të tensionuara prej kohësh. Tempulli i Preah Vihear është mollë sherri që me hartën e pranuar në vitin 1907, e cila, edhe ajo, nuk respektonte marrëveshjen e vitit 1904. Pra, është një tension njëqindvjeçar. Në të vërtetë, problemet janë të tjera. Për shembull, Kamboxhia ka strehuar Taksin Shinauatrën, kryeministrin e hequr me grusht shteti në vitin 2006 në Tajlandë e madje, Hun Sen e ka emëruar këshilltar ekonomik të qeverisë kamboxhiane. Natyrisht, kjo nuk i lehtëson marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.