2011-02-07 14:35:21

Në Engjëllin e Tënzot: lutja e Papës për paqen në Egjipt dhe thirrja për mbrojtjen e jetës.


(07.02.2011 RV)Thirrja e re për paqen në Egjipt dhe lutja që në këto troje, të bekuara nga prania e Familjes Shenjte, të shikohet, mbi të gjitha, e mira e përbashkët, ishin në qendër të vëmendjes dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke kujtuar se dita e djeshme i kushtohej jetës, Papa e nxiti shoqërinë civile të punojë për kulturën, e cila pranon plotësisht se çdo njeri, edhe ai më i ligështi, ka vlerë të pamohueshme të patjetërsueshme.

Të jetë kripë, për t’i dhënë shije botës; të jetë dritë, për të ndriçuar edhe errësirën më të thellë! Këtë kuptim ka misioni e dëshmia e vërtetë e të krishterit, të cilin dje Papa, duke marrë shtytjen nga Ungjilli i Mateut, e ripohoi me forcë në lutjen e Engjëllit të Tëznot, duke i nxitur besimtarët të kenë si synim kryesor dijen, vlerë tejet e lartë, që përfshin në vetvete shijen e kripës e vezullimin e dritës, pa të cilën njeriu do të ecte nëpër jetë si i verbër.
“Dishepujt e Krishtit janë të thirrur t’i japin shije të re botës, ta ruajnë nga prishja, me dijen e Zotit, e cila ndriçon plotësisht në fytyrën e Birit, sepse është Ai drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri (Gjn.1,9). Të bashkuar me të, të krishterët mund të rrezatojnë, në mes të errësirës së indiferencës e të egoizmit, dritën e dashurisë së Hyjit, dije e vërtetë, që i jep kuptim gjithë jetës e veprës së njeriut”.
Zoti i kundërvihet thellësisht prepotencës të së keqes, ripohoi Ati i Shenjtë e, pasi kujtoi ditët dramatike që po kalon Egjipti, u lut edhe një herë për paqen e për të mirën e çdo njeriu, në të katër anët e botës:
“Në këto ditë, ndjek me vëmendje situatën delikate të Kombit të dashur egjiptian. I lutem Zotit që kjo Tokë, e bekuar nga prania e Familjes Shenjte, të gjejë përsëri qetësinë e bashkëjetesën paqësore, në impenjimin e përbashkët për të mirën e përgjithshme”.
Zoti kujdeset për njeriun në çdo situatë, vuan bashkë me të e i ngjall në zemër shpresa të reja për të ardhmen, pohoi Papa e, duke kujtuar Ditën për jetën, kremtuar dje, i nxiti të gjithë e në mënyrë të posaçme breznitë e reja të mjekëve, për të vënë në jetë një kulturë të vetëdijshme për vlerën e pamohueshme të çdo njeriu. Kur kërkimi shkencor e teknologjik udhëhiqet nga vlera të vërteta etike – vijoi Ati i Shenjtë – krijohen të gjitha mundësitë për gjetjen e rrugëzgjidhjeve të përshtatshme, për mbrojtjen e jetës, që në zënie, e për vlerësimin e amësisë:
“Uroj që të gjithë të impenjohen për kulturën e jetës, për ta vënë njeriun në qendër të vëmendjes, në çdo rrethanë. Sipas fesë e arsyes, dinjiteti i njeriut nuk varet nga gjendja e tij shëndetësore, as nga aftësitë e nuk mund të mohohet, edhe kur ai është i ligshtë, i paaftë për punë e nevojtar për ndihmë”.
Një datë tjetër e rëndësishme që kujtoi Benedikti XVI, ishte ajo e 11 shkurtit të ardhshëm, kur Kisha do të kremtojë Zojën e Lurdës e, me të, edhe Ditën botërore të të sëmurit, sivjet me temë: “Nga plagët e Tij jeni shëruar”. Rast i përshtatshëm, pohoi Papa, për t’i kujtuar bashkësisë kishtare dhe shoqërisë civile kujdesin për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme të trupit:
“Uroj, prandaj, që të gjithë punonjësit e shëndetësisë ta shikojnë të sëmurin jo vetëm si trup të ligshtë, por mbi të gjitha, si njeri, të cilit duhet t’i shërbejnë me të gjithë solidaritetin e mundshëm, duke i siguruar, me kompetencë, mjekimet e përshtatshme”.Së fundi Papa përshëndeti anëtarët e Lëvizjes së dashurisë familjare e të gjitha ata që, të mbledhur në Kishën romake të Shën Gregorit VII, u lutën tërë natën për të krishterët e persekutuar në botë e për lirinë fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.