Dita për jetën. Karlo Kazini: nuk duhet të mësohemi kurrë me kulturën e vdekjes.
“Të edukojmë me kulturën e jetës, të jetuar plotësisht”. Kjo ishte tema e Ditës për
Jetën, themeluar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, që sivjet arriti në edicionin
e 33-të. Për të mos i harruar arsyet e kësaj Dite, në mbarë Italinë u zhvilluan veprimtari,
që i propozuan bashkësisë së krishterë dhe shoqërisë civile reflektimin mbi temën
e së drejtës për jetën. Po cilat janë qëllimet dhe sfidat e kësaj nisme, me vlerë
për mbarë njerëzimin? Përgjigjen na e jep europarlamentari Karlo Kazini, kryetar
i Lëvizjes për jetën:
Përgjigje: -Dita u themelua të nesërmen e
miratimit të ligjit mbi abortin, për të dëshmuar se Kisha nuk dorëzohet e nuk do të
dorëzohet kurrë. Sivjet tema është kjo e edukimit të njeriut për ta jetuar jetën deri
në fund, domethënë, që nga zënia, deri në vdekjen e natyrshme. Kjo do të thotë edhe
se duhen pasur parasysh të gjitha aspektet edukative. Prej këndej, edhe lidhja ndërmjet
seksualitetit, dashurisë e familjes, sot e harruar; e pastaj, akoma, prania kulturore
e mjeteve të komunikimit, në të cilat pikërisht këto ditë shikojmë të na ofrohen modele
tejet negative. E pastaj, nuk duhet harruar ligji, sepse beteja politiko-ligjore është
pjesë përbërëse e aspekteve edukative. E pastaj akoma, duhet kujtuar mirë se një sfidë
si kjo nuk mund të përballohet brenda një dite të vetme. Gjon Pali II, në “Evangelium
Vitæ” shkruan: “Të gjithë së bashku, duhet të përhapim kulturën e jetës. Të gjithë
së bashku!”. E shton: “Duhet organizuar një mobilizim i përgjithshëm, për krijimin
e kulturës së re të jetës”.
Pyetje: - Prej këndej, ju mendoni edhe
për impenjimin, të gjithë së bashku, ndonëse në këtë shoqëri duket se, për fat të
keq, mbizotëron qëndrimi indiferent:_gjithçka tashmë duket si të ishte normale. Gjithçka
na kujton se kemi të bëjmë me një njerëzim, që është mësuar me gjëra të tilla, një
njerëzim të shurdhër, i cili nuk arrin dot ta dëgjojë britmën e fëmijëve të mbytur
në bark të nënës, në sa janë njerëz me të drejta të plota për të jetuar. Kujtojmë
thënien e një kardinali polak, drejtuar një parlamentari që mbronte abortin: “Gjunjëzohem
para nënës sate, që nuk ishte njëmendjeje me ju. Ndonëse, po t’ju kishte abortuar,
nuk do të dëgjonim sot ligjeratën tuaj të zjarrtë, në mbrojtje të një krimi kaq të
shëmtuar”….
Përgjigje: -Fjala “ është mësuar” shpreh diagnozën e
rrezikut më të madh, atij që po ndodh para syve tanë, përfundimit të rrezikshëm se
tanimë gjithçka është kryer, se nuk mund të bëhet më asgjë. Se është fare e kotë të
kundërshtojmë. Duhet, prandaj, ta kuptojmë mirë se pikërisht kjo është edhe beteja
epokale planetare. Nuk ka të bëjë vetëm me fëmijën ende të palindur, por me gjithë
jetën, posaçërisht me atë, që është më e ligshtë e më e pambrojtur. Është shenjë dalluese
e çastit, që po kalojmë. Sot çështja është antropologjike, domethënë, në bazë të saj
janë pyetjet: “Ç’është jeta? Kush është njeriu? Ç’kuptim ka jeta? Ç’do të thotë dinjitet
njerëzor?”. Është pikërisht kjo çështja, për të cilën katolikët, në vijën e parë të
frontit për mbrojtjen e jetës, kërkojnë bashkëpunim me të gjithë, duke u impenjuar
seriozisht.
Pyetje: - Përsa i përket dinjitetit, kjo Ditë – përballë
shumë formave të zvetënimit e të poshtërimit të lidhjes ndërmjet burrit e gruas,
është edhe rast i përshtatshëm për të bërë që të shkëlqejë përsëri bukuria e dashurisë,
asaj dashurie, për të cilën ia vlen të jetosh.
Përgjigje: - Kundrimi
i mrekullisë së foshnjes, që del në dritë, i vogël i vogël, i brishtë; i krijimit
në veprim, është si të hedhësh një gur në liqen e të shikosh si zgjërohen rrathët…
Nga ky kundrim lind edhe kundrimi tjetër, ai i dashurisë; e i familjes, në radhë të
parë. Lind mahnitja e të qenit prind, ideja e solidaritetit… Sepse amësia a atësia
janë arketip i çdo solidariteti tjetër të mundshëm. E, prej këndej, edhe solidaritetit
për njerëzit më të humbur, më të varfër, i mendimit se njeriu duhet vënë në qendër
të vëmendjes në të gjitha shoqëritë, i idesë, se duhet të lindë një politikë krejt
e re në mbrojtje të jetës. E kam fjalën për politikën në përgjithësi. E natyrisht,
ideja se jeta njerëzore është gur themeli, mbi të cilin ngrihen pastaj të gjitha veprimtaritë
që duhen organizuar në mbrojtje të saj, edhe në fushën ekonomike, në marrëdhëniet
ndërkombëtare e në të gjitha fushat e tjera të jetës. Natyrisht jemi shumë larg, por
nuk duhet ta humbasim guximin. Në se e mbrojmë jetën, ajo sigurisht edhe do të na
mbrojë!