2011-02-07 16:34:08

Dita e 14-të e protestave në Egjipt. Opozita hedh poshtë propozimin për reforma


(07.02.2011 RV)Dita e 14-të e protestave në Egjipt. Qendra e manifestimeve mbetet sheshi Tahrir në Kajro, ku mijëra vetë vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e presidentit Hosni Mubarak. Manifestuesit kanë filluar të shtypin gazetën e tyre, e cila mban emrin e sheshit “Midan al Tahrir”. Objektivi është ngritja e një “bashkësie të re gazetarësh në Egjipt”.
Ndërkaq, dje, zv.presidenti Omar Sulejman u takua me përfaqësuesit e opozitës. Propozimi i tij për t’ia besuar një komisioni, që do të ngrihet brenda marsit, promovimin e reformave kushtetuese, u hodh poshtë. Grupi i “Vëllezërve Myslimanë” deklaroi se reformat janë të pamjaftueshme e jo të plota. Nga ana tjetër, Omar Sulejman refuzoi të marrë detyrën e presidentit, siç kërkohej nga opozita. Ndërsa lirohet drejtori i Google, faqes së internetit, që u ndalua ditët e kaluara, internautët zgjedhin sekretarin e Lidhjes Arabe, Amr Musa si president të ardhshëm. Në faqen e tij në Facebook, bëhet thirrje për ta mbështetur plotësisht.
Në SHBA-të, presidenti Barak Obama uroi që tranzicioni politik në Egjipt të jetë i qetë. “Është e rëndësishme – theksoi ai – të mos besojmë se dy opcionet e vetme janë ose “Vëllezërit Myslimanë”, ose një popull i shtypur egjiptian”. Mbi dëshirën për të mos shkuar drejt radikalizimit islamik të vendit, u prononcua edhe qendra më e njohur e Islamit sunit, Universiteti Al-Azhar në Kajro. Sipas notës së tij, Egjipti nuk do të ecë në të njëjtën rrugë me Iranin. Kritikohen deklaratat e ajatollahut Khomenei, që e nxisin popullin egjiptian t’ia hapë rrugën fondamentalizmit.
Por cili është ndikimi i ngjarjeve të Egjiptit në rajonin e Lindjes së Mesme? Të dëgjojmë opinionin e profesoreshës së historisë e të institucioneve të Lindjes së Mesme në Universitetin Bolonja-Forli, Marçela Emiliani:
Tani për tani, revolta është përhapur shumë e po triumfon e ashtuquajtura “politikë e rrugës”, por ajo që ka rëndësi është rezultati. Nëse nga këto revolta popullore do të dalin regjime demokratike, duhet ta harrojmë Lindjen e Mesme si e kemi njohur deri tani, pasi ky do të ishte revolucioni më i madh që kemi pasur gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, jo vetëm në zonë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Për demokracinë në Lindjen e Mesme flitet që me fundin e Luftës së Ftohtë e edhe më shumë, me fillimin e luftës globale kundër terrorizmit, pas 11 shtatorit 2001. Forma demokracie, sa për t’u dukur, ekzistojnë, por mungon thelbi i vërtetë i saj. Duhet të kemi parasysh se në Lindjen e Mesme korrupsioni është i lartë, praktika e manipulimeve para, gjatë dhe pas zgjedhjeve është shumë e përhapur dhe sistemet e shtypjes janë jashtëzakonisht efikase.
Turqia, Gaza, Libani, tani Egjipti, pa llogaritur Iranin: a po ndryshon harta e forcave islamike në Lindjen e Mesme?
Për të ndryshuar, nuk ndryshon… Risija e vetme është të shohim se deri në ç’pikë e me ç’lloj përfaqësie do të hyjnë të ashtuquajturat “parti islamike të moderuara”, pasi nuk mund të lihen më mënjanë. I referohem Tunizisë e sidomos Vëllezërve Myslimanë në Egjipt. Të mos harrojmë, se në Turqi kemi një parti islamike në pushtet e të paktën deri tani, nuk më duket se ka filluar ndonjë xhihad kundër perëndimorëve, ose të tjerëve. Rasti i Hamasit është i ndryshëm, pasi më tepër se për Islamin, lufta bëhet për “çlirimin kombëtar”.
Sipas jush, çfarë roli mund të ketë Turqia në rajon?
Kryeministri Erdogan mund të prononcohet për ç’po ndodh dhe e bën këtë zakonisht. Por, të mos harrojmë, se në Lindjen e Mesme, turqit nuk janë arabë. Mund t’i konsiderojmë në mënyrë të përgjithshme si myslimanë, por kur flitet për veçori e për kufij kombëtarë, egjiptianët mendojnë për egjiptianët, tunizinët për tunizinët e kështu me radhë.







All the contents on this site are copyrighted ©.