2011-02-07 15:34:14

Benedikti XVI: të edukosh është vepër dashurie, në një botë ku konsiderohet e rrezikshme të flasësh për të vërtetën.


(07.02.2011 RV)Edukatori i krishterë duhet të jetë shprehje e dashurisë e dëshmitar i së vërtetës: për këtë i nxiti Benedikti XVI pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Kongregatës së edukimit katolik, të cilët i priti sot paradite në audiencë, në Vatikan. Papa vuri theksin mbi urgjencën me të cilën Kisha duhet t’i përgjigjet sfidës edukative, si në seminare, ashtu edhe në shkolla. Më pas ripohoi se në një kohë, mbi të cilën sundon relativizmi, e vërteta duhet kumtuar me besnikëri të guximshme e përtëritëse.
Nga ana e pjesëmarrësve, Papën e përshëndeti kardinali-prefekt i Kongregatës, Zenon Groholevski.

Të edukosh, është akt dashurie, ushtrim i bamirësisë intelektuale, që kërkon përgjegjësi, përkushtim, koherencë jete: këtë nënvizoi Benedikti XVI në fjalimin drejtuar anëtarëve të dikasterit për Edukimin katolik. Papa kujtoi sa e rëndësishme është të trajtohet tema, posaçërisht e dashur për të, e emergjencës edukative. Një sfidë, theksoi, nga më urgjentet, së cilës duhet t’i bëjnë ballë Kisha edhe institucionet e saja:
“Veprimtaria edukative po bëhet gjithnjë më e vështirë sepse, në një kulturë, që e shikon gjithnjë më shpesh relativizmin si besojmën e vet, mungon drita e së vërtetës, madje të flasësh për të vërtetën konsiderohet si diçka e rrezikshme, duke ngjallur kështu dyshimin për vlerat bazë të jetës personale e komunitare”.
Prej këndej, Papa vlerësoi lart shërbimin që kryejnë institucionet formuese, të frymëzauara nga vizioni i krishterë për njeriun e realitetin. Vuri theksin edhe mbi rëndësinë e formimit në vitet e seminarit. Kjo e fundit, nënvizoi Papa, duhet të jetë një etapë e çmuar e jetës, gjatë së cilës kandidati për meshtari jeton përvojën e dushepullit të Jezusit. Ripohoi, kështu, nevojën që seminaristët të jetojnë së bashku e ta duan përmasën e bashkësisë, që i paraprin vëllazërisë sakramentore. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi se teologjia duhet ta bëjë gjithnjë më të fuqishme lidhjen ndërmjet saj, si disiplinë shkencore dhe Shkrimit Shenjt:
“Teologu nuk duhet të harrojë se është edhe ai që flet për Zotin. Është e domosdoshme, prandaj, t’i lidhë ngusht teologjinë me lutjen vetjake e komunitare, posaçërisht liturgjike. Teologjia është shkenca e fesë e lutja e ushqen fenë. Në bashkimin me Zotin, misteri i shijuar në një farë mënyre, bëhet i afërt, e kjo afërsi është dritë për mendjen njerëzore”.
Duke kujtuar të Lumin Xhon Njumen, Benedikti XVI nënvizoi lidhjen e ngushtë të teologjisë me disiplinat e tjera, të cilat formojnë së bashku, ‘rrethin e madh të dijes”. Vetëm Zoti, shpjegoi Papa, ka lidhje me tërësinë e reales. Prej këndej, vërejti, ta zhdukësh Zotin, do të thotë të copëtosh rrethin e dijes:
Në këtë perspektivë, Universitetet katolike, me identitetin e tyre të mirëpërcaktuar e me prirjen për të hyrë në “tërësinë” e qenies njerëzore, mund të kryejnë një veprimtari të çmuar në promovimin e unitetit të dijes, duke i orientuar studentët dhe mësuesit drejt Dritës së botës, dritës së vërtetë, që ndriçon çdo njeri”.
Duhet, prandaj, tha në vijim Papa, guxim për ta kumtuar vlerën e madhe të edukimit e për të formuar njerëz me kulturë të shëndoshë e të qëndrueshme. Duhet besnikëri e guximshme e përtëritëse, që di të bashkojë vetëdijen e qartë me identitetin e saj dhe aftësinë për t’ia hapur tjetrit zemrën e për të jetuar së bashku në shoqëri:
“Edhe këtij qëllimi i shërben roli edukativ i mësimit të fesë katolike, si displinë shkollore, në dialog ndërdisiplinor me të tjerat. Në të vërtetë, ai kontribuon gjërësisht jo vetëm për zhvillimin e gjithanshëm të studentit, por edhe për njohjen e tjetrit, për mirëkuptimin e për respektin reciprok”.
Papa pohoi se prania e edukatorit të krishterë, me koherencën e jetës së tij e me praninë e tij, bëhet shprehje e dashurisë e dëshmi e vërtetësisë. Së fundi, reflektoi edhe për kontributin që mund të japë interneti për formimin në seminare, temë kjo mbi të cilën Kongregata po përgatit një dokument të posaçëm. Rrjeti, vërejti Papa, me aftësinë për të kapërceyer distancat e për t’i lidhur me shpejtësi njerëzit, duhet parë si mjet me mundësi të mëdha edhe për Kishën e misionet e saj. Pa harruar se përdorimi i tij, shtoi Ati i Shenjtë, duhet të jetë i mençur e i kujdesshëm:
Edhe në këtë fushë ka rëndësi të jashtëzakonshme të llogaritet ndihmesa e njerëzve të formuar në mënyrë të përshtatshme, që të jenë prijës të besimtarëve e gjithnjë në lidhje të ngushtë me të renë, me qëllim që t’i shoqërojnë kandidatët për meshtari në përdorimin korrekt e pozitiv të mjeteve informatike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.