2011-02-07 12:55:18

Akoma emergjencë në Haiti: dëshmia e një mjeku italian


(07.02.2011 RV)Në Haiti, gjendja humanitare mbetet dramatike. Bilanci i epidemisë së kolerës arrin tashmë në 4 mijë të vdekur, ndërsa një milion e 500 mijë vetë, të dëmtuar nga tërmeti, jetojnë akoma në tenda. Gjithçka ndodh në një atmosferë paqëndrueshmërie të përgjithshme politike, në pritje të ballotazhit presidencial të 20 marsit, që shpresohet t’i japë vendit një qeveri, në gjendje të zgjidhë problemet. Në këtë kontekst, organizatat joqeveritare ndërkombëtare si AVSI, OXFAM dhe Fondacioni Rava kanë ndërmarrë një nismë për kurimin e fëmijëve të ushqyer keq. Të dëgjojmë një mjek të AVSI-it, organizatë e lëvizjes “Bashkim e Lirim”, i cili sapo është kthyer nga Haiti. Quhet Omero Grava:
Qyteti i Port-o-Prens ka rreth dy milion banorë, karakterizohet nga bidonvile të stërmëdha, me baraka prej llamarine e kartoni, ku jetojnë qindra mijëra vetë. Kushtet higjienike janë të tmerrshme: nuk ka ujë, nuk ka drita, përveçse në disa zona e në disa momente të caktuara. Ne e zhvillojmë veprimtarinë tonë kryesisht në një ambulancë, që u shndërrua në spital për të përballuar emergjencën e kolerës, për të ndjekur pacientët. Vërtet, nga fillimi i simptomave deri në formën e qartë të sëmundjes kalojnë vetëm pak orë e nëse nuk ndërhyjmë shpejt, gjendja mund të rëndohet deri në vdekje. Kjo strukturë administrohet nga motër Marçela, murgeshë e misionareve françeskane, që i kërkoi AVSI-it ndihmë për emergjencën e kolerës.
Doktor Grava, si mund të ndihmohet Haiti?
Sigurisht, mbledhja e fondeve është çështje me rëndësi themelore, megjithëse – siç mund të keni parë ose lexuar - ka pasur polemika mbi përdorimin e fondeve e mbi sasinë e vërtetë të ndihmave, që u kanë shkuar popullsisë.
Ju keni një ide për këtë problem?
Është e vështirë të përgjigjesh. Është e qartë se gjendja e përgjithshme e vendit nuk e favorizon shpërndarjen e mirë të fondeve. Më 28 nëntorin e kaluar u bënë zgjedhjet, por komiteti zgjedhor nuk ka deklaruar akoma qartë as rezultatin përfundimtar, as se kush do të hyjë në ballotazh. Në këtë gjendje paqëndrueshmërie politike, sigurisht, makina administrative dhe organizative nuk ia del dot. Natyrisht, kemi edhe emergjenca të tjera në botë, por kjo e Haitit duhet të kujtohet më shumë!
Me çfarë përshtypjesh vini nga ky mision?
Gjëja që e kujtonim shpesh, ne që kishim ardhur nga Italia, ishte rëndësia, që veprimtaria jonë të mos kuptohej vetëm si ndihmë materiale e njeriut për njeriun, por të komunikonte vërtet ëmbëlsinë e Zotit, përmes forcave tona krejt të dobta. Kjo është diçka që mund të mbetet përgjithmonë, pavarësisht nga rezultatet e veprimtarisë sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.