2011-02-05 15:54:24

Në Egjipt revolta nuk është vetëm politike, por edhe shpirtërore


Por përse luftojnë egjiptianët e arabët në përgjithësi? Vetëm për bukë? Vetëm për demokracinë politike, pas vitesh të një personi në pushtet, pavarësisht se në një diktaturë më të butë, nga ç’mund të mendojë, për shembull, një shqiptar, që ka provuar atë të komunizmit? Apo janë në lojë edhe ndryshime të tjera?
Shumëkujt nuk i ka rënë në sy një dokument, që po përhapet me shpejtësi në internet. Quhet “dokumenti për rinovimin e Islamit”, shkruar nga imamë e intelektualë egjiptianë jo më larg se 24 janari (një ditë para shpërthimit të protestave) e botuar nga revista “Dita e shtatë”. Brenda 24 orëve, ky dokument u mor dhe u ribotua nga të paktën 12400 faqe arabe interneti. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ai nuk ka nënshkrues të mirëfilltë. Revista e ka përpiluar pas intervistave me 23 protagonistë të botës islamike. Për secilën prej 22 pikave të letrës, kemi komente e shpjegime, që thellohen më tej. Dokumenti propozon ndryshime në Islamin tradicional, ashtu siç praktikohet në botën arabe. Kjo do të thotë se ekzistojnë rryma intelektuale brenda myslimanizmit, që i konsiderojnë thjesht si fasadë të jashtme, rregullat e ligjet e Islamit, siç janë praktikur gjatë 30 vjetëve të fundit. Janë regulla, që përcaktojnë thjesht mënyrën e veshjes, gjatësinë e mjekrrës, mbajtjen apo jo të shamisë, por nuk u flasin njerëzve për shpirtin e fesë.
Për shembull, pika 3 e dokumentit flet për përzierjen ndërmjet personave me sekse të ndryshme. Sipas intelektualëve islamikë, kjo përzierje duhet lejuar edhe me ligj nga sharia, aty ku është e nevojshme e, duhet ndaluar, aty ku është e panevojshme. Është e nevojshme në universitete, ku studentët janë meshkuj e femra, ose në punë, por është absolutisht mëkat të takohen vetëm një mashkull e një femër, të preken apo të përqafohen.
Kundërshtarët e kësaj ideje refuzojnë çdo përzierje. Në Arabinë Saudite, studentët meshkuj qëndrojnë në klasë para profesorit, ndërsa studentet femra në një klasë tjetër, para televizorit, përmes të cilit flet profesori. Në Egjipt, marrëdhëniet ndërmjet meshkujve dhe femrave po bëhet gjithnjë e më tepër problem, për shkak të stilit gjithnjë e më “puritan” të jetesës.
pikën e gjashtë trajtohet çështja e xhihadit, e luftës së shenjtë. Sipas reformatorëve, xhihadi në Islam drejtohet kundër pushtuesve të vendeve myslimane. Kurani (2,190) thotë: “Vritni në rrugën e Zotit ata që ju luftojnë, por mos merrni iniciativën e sulmit”. Pra, nuk lejohet të vriten njerëz të paarmatosur, fëmijë, pleq, gra, priftërinj, murgjër, e njerëz që luten. Ky këndvështrim është i pranishëm në Islam që prej 1400 vjetësh. Pra xhihadi është vetëm për mbrojtjen e tokës myslimane. Natyrisht, pavarësisht se ky interpretim është klasik, i mirëfilltë, kundërshtohet nga terroristët.
pikën 7 flitet për religjiozitetin e jashtëm. Sipas intelektualëve, nënshkrues të dokumentit, njerëzit që kanë shkuar për punë në Arabinë Saudite janë kthyer me forma veshjeje, që nuk janë karakteristike për Islamin egjiptian. Mbajtja e mjekrrës, veshja e gjatë deri në fund të këmbëve, shamia në kokë etj., janë vetëm shprehje të jashtme të fesë, por nuk dëshmojnë pastërtinë e zemrës dhe të syrit, siç kërkon Kurani. Ky këndvështrim është shumë pranë Ungjillit të krishterë. “Jemi bërë – komenton revista – një komb, që shqetësohet për çfarë ka jashtë, ndërsa është bosh brenda”.
Pika e tetë trajton ndarjen e fesë nga shteti. Tepër e rëndësishme, pasi nënshkruesit e dokumentit flasin për një laicitet të shtetit, që nuk duhet konsideruar në anë të kundërt me fenë, por si një mjet për t’u mbrojtur nga përdorimi politik e tregtar i fesë. Në këtë kuptim, ky lloj laiciteti është në harmoni me fenë islamike. Është e nevojshme, thuhet më tej, të pohohen “të drejtat e Zotit” dhe “të drejtat e shërbëtorit të Zotit”, pra të drejtat e njeriut. Është shenja e parë se në Egjipt po lind shoqëria civile. Nga ana tjetër, dokumenti është kundër laicitetit ateist, që pretendon lirinë absolute të njeriut, kundër Zotit.
Edhe pika e nëntë është interesante. Përshkruan qëndrimin ndaj salafizmit, i cili është përpjekje për të riprodhuar, në kohën e sotme, shoqërinë e 14 shekujve më parë, të kohës së Profetit Muhamet. Sipas intelektualëve islamikë, liria, barazia, dituria, drejtësia dhe shkenca janë vlerat më të rëndësishme të Kuranit e jo mënyra e veshjes, respektimi i ligjeve, ndarja në të pastër e në të papastër etj. Ata kritikojnë mënyrën salafite të sjelljes, sipas së cilës, nuk mund të ulesh në karrige, sepse profeti ulej përtokë; nuk mund të përdorësh një shkop të zakonshëm për të kruar dhëmbët, sepse ai duhet të jetë nga një pemë e Arabisë Saudite e të tjera si këto. Dokumenti kërkon një Islam më shpirtëror.
Në Egjipt, pushteti politik i deritanishëm nuk ka qenë një diktaturë e egër, por për të ekzistuar i bën konçesione salafizmit, duke u treguar më “islamik”, që të mos kritikohet, për shembull, nga partia e Vëllezërve Myslimanë. Por kjo s’bën tjetër, veçse forcon dukjen e jashtme të fesë, që kërkon konçesione të tjera. Nëse nga Egjipti do të fillojë edhe një lëvizje për Islamin shpirtëror, këtë do të tregojë vetëm koha.







All the contents on this site are copyrighted ©.