2011-02-05 13:35:04

Mesdheu është në fermentim. Editorial i atë Federiko Lombardit: Duke parë Afrikën e Veriut


Pothuaj të gjitha vendet e Afrikës Veriore janë ngritur kundër qeverive e pushtetit të deritanishëm. Rasti i fundit është ai i Egjiptit, me protestat, që qysh në ditët e para shkaktuan mëse 150 viktima. Sheshi kryesor i Kajros u mbush me miliona protestues, që kërkojnë dorëheqjen e presidentit Mubarak, në pushtet që prej 30 vjetësh. Duan ndryshime, që diktatura nuk ua jep lehtë. Vërtet, largoi gazetarët e huaj, përveç turistëve, me çdo mjet, errësoi internetin dhe çdo lidhje me jashtë, në mënyrë që bota të mos merrte vesh. Por milionat arritën ta ngrenë zërin edhe përtej kufijve. Editoriali i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi i kushtohet pikërisht kësaj situate. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
“Bota sheh këto javë drejt Afrikës Veriore e Lindjes së Mesme. Fillimisht Tunizia, pastaj Egjipti e vendet e tjera, ku u vunë në lëvizje procese ndryshimesh politike, akoma të vështira për t’u përcaktuar e vlerësuar, por sigurisht kaq domethënëse, sa të flitet për “revolucion”.
Të gjithë shpresojmë, që popujt e këtyre anëve të mos derdhin gjak e të mos zgjatet koha e paqëndrueshmërisë, gjatë së cilës rreziku i kundërvënieve dhe i ndeshjeve është më i madh. Natyrisht, vështirësitë ekonomike, kushtet e varfërisë, që sprovojnë shtresa të mëdha të popullsisë, ashpërsuar nga kriza ekonomike globale, kanë pasur peshë të madhe në fillimin e protestave. Por, siç kanë vënë në dukje ipeshkvijtë e Afrikës së Veriut, duhet kuptuar se njerëzit presin më shumë “liri e dinjitet”, sidomos “brezat e rinj të rajonit, gjë që kthehet në vullnet për t’u konsideruar si qytetarë e, madje, si qytetarë të përgjegjshëm”.
Popullsitë e zonës kanë një përqindje të lartë të rinjsh, që nuk shohin asnjë perspektivë për të ardhmen. Në këtë kontekst, vijnë në mend këshillat e Sinodit për Lindjen e Mesme, i cili vetëm pak muaj më parë uronte, që të krishterët të kishin qytetarinë e plotë në vendet e tyre. Tani, janë popuj të tërë, që kërkojnë të ushtrojnë me më tepër përgjegjësi të drejtat e qytetarisë, që i takojnë çdo njeriu, pavarësisht nga feja dhe që i ndihmojnë ta ndjejnë veten njerëz me dinjitet. Të krishterët janë një pakicë shumë e vogël, por janë solidarë me këta popuj e ushqejnë të njëjtat shpresa. Nëse këto kombe me shumicë myslimane do t’ia arrijnë të ndryshojnë, duke përdorur dialogun, respektimin e të drejtave të të gjithëve, të drejtën e pjesëmarrjes, lirinë, paqja e botës do të jetë më e sigurtë. E urojmë këtë me gjithë shpirt, pikë së pari për të mirën e tyre, por edhe për të mirën e krejt familjes së popujve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.