2011-02-05 15:56:41

Atë Fishta ofm: montazh nga “Visku i Babatasit”


(Në asamblenë shqyptare, mbas votimeve. Ministra, deputeten, zyrtarë e sterzyrtarë rrahin shplakë me furi. Atëherë çohet e flet Kryetari i Bashkisë)
… Kryetari i Bashkisë:
Asambleja shqypetare
Duel e zgjedhun bukur fare…
(si nepër dhambë të madhe)
Do t’na vejë do taksa të reja...
Rrnoftë Shqypnaja e Asambleja.
(Ministra, deputeten, zyrtarë e sterzyrtarë rrahin shplakë me furi. Atëherë çohet e flet Kryetari i Asamblesë)
Kryetari i Asamblesë:
...Rrofë kryetari! Rroftë Bashkija! (Duertrokitje)
Babatasi:
Rrofshin bibat ndër çinija!..
Njëqind fjalë, xhanem, për nji pare
Kot se e bâj un’kryet matare,
Punët e tyne tue mendue:
janë të zott e s’ke shka thue!
Matrahula, kapisyza,
Gjithmonë zymtë e terbjetsyza,
Bâjnë dikur kinse me qeshë
Mordja thue asht tue u ngerdheshë
Dhambët e bardhë e dreqin n’gji:
S’shofin tjetër veç turki.
Tash n’kapelë, tash në qylah
Mbajnë lirinë për nji gjynah,
Mbajnë Shqypninë per nji sahan,
Ku do të hajë çka asht muhamedan,
Nji herë para, mandej qeni
Me lpie në te, atëherë i kështeni...
Me ba be se e kanë p’rnjimend.
Ndersa ata tjetër nder mend
Besa, s’kanë veç si me qitun
N’dorë të vet fuqinë e shtetit,
Per me pasë si me plaçkitun
Mandej paret e buxhetit:…
More popull, që s’din gja,
Veç me la e me ndejë pa za,
Zbathë e zdeshë e buk’ pa buk’
E ata mbështetun mbi kolltuk,
Kambë mbi kambë pa tjeter fjalë
Shpejt, tham, n’krye kan’ per t’ia dalë;
Veçse ende nierin s’kan gjetë
Sherr sa duhet, batakçi
Nieri n’kambë e djalli vetë,
N’dorë buxhet me i l’shue, e Shqypni.
Prandej sot rrijnë tue u perpushë,
njani tjetrit tue u germushë.
Haju shaju n’per fletore
“Opozitë” e “Popullore”
Der që ‘i ditë hiri pa hiri
Të kenë hasun në ket nieri.
E atëherë ti, po, ke me pa
Se si n’godi kanë me ra
Shoq me shoq, e si n’mjet vetit
Kanë me i nda paret e shtetit
Der n’ma t’mbramin metelik:
Kush pse “shoq”, kush pse “ besnik”
Kush pse nieri “politik”.
Njani “auktor”, tjetri “Deshmor”
Ky “ theror”, ai “ inspektor”,
Jo “atdhetar”, jo “veteran"
Jo “rezervë kapidan”:..
Edhe kështu por rrush e kumblla
Po ta bajnë t’zezen Shqypni
Der që ‘i ditë ndoj dreqit t’zi
Që s’na rrijnë jo kot përbri
Mos t’ia falin gjith unji
Me gjith flamur kuq e zi.
E mandej na rrimë tue pallë,
Si gomarët e tue u gërvallë:
“Moj Shqypni, mjera Shqypni
Kush t’ka qitë me krye në hi…”….
O ti i lumi Perendi,
Që kurrgja s’të ndodhë pa hiri
Deh, kij dhimbë për ket Shqypni,
Edhe shif se sa vampiri
Sa vampiri e sa qafiri
Sa qafiri e muhazhiri,
E magjupi dhe halldupi,
E hajduti e farabuti
I Tosknisë e i Gegnisë
Por ele ma i Tosknisë
Per nen maskë t’atdhedashnisë,
E kanë msye me e perpi gjallë,
Kund pikë gjaku per pa i lanë
Per me e hjedhë mandej n’ ndoj zall
Si pelë t’coftë, m’te qejt me ngranë;
Janë njata do parazita
Kalangerçë të cill’t m’karriga,
Kafe m’kafe se t’bâjë dita.
Shoqishojt që edhe i kanë gja,
Si ato bagla m’nji pleh tha:
Rrijnë Shqypnisë tue ia pi gjakun,
E nen fyt ia dredhin lakun
Duert nder xhepa e sytë n’hava,
Gjithmonë sherr, gjithmonë bela.







All the contents on this site are copyrighted ©.