2011-02-04 18:50:37

Një milion vetë në Kajro kundër presidentit Mubarak. Rrezik lufte civile


(04.02.2011 RV)Qindra mijëra vetë – disa burime flasin për 2 milion – morën pjesë sot në lutjen e së premtes në sheshin Tahrir të Kajros. Parrulla kundër qeverisë e thirrje për dorëheqjen e presidentit egjiptian Mubarak zëvendësuan ndeshjet e përgjakshme të djeshme ndërmjet përkrahësve të presidentit e kundërshtarëve të tij. SHBA-të bëjnë presion për formimin e një qeverie tranzicioni, ndërsa Bashkimi Evropian kërkon të shmanget dhuna dhe të fillohet kalimi i shpejtë dhe i rregullt drejt demokracisë. Mubarak lihet në baltë edhe nga kreu shpirtëror i Iranit, Ali Khamenei, i cili e akuzon për tradhti ndaj popullit palestinez e uron lindjen e një lëvizjeje islamike për ndryshim. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe qëndroi në shesh me demonstruesit. Vetë Mubarak bëri të ditur sot se do të vijojë në detyrë vetëm formalisht për disa muaj, që të sigurojë një tranzicion më të lehtë.
Akoma ndihen pasojat gjuetisë së gazetarëve, siç u quajtën sulmet e keqtrajtimet kundër njerëzve të mediave. Rrezikoi edhe i dërguari i gazetës kishtare italiane “Avvenire”, Luigji Gjeninaci. Arritëm t’i telefonojmë në Kajro, ku ndodhet aktualisht:
Mjaftonte të kishe fytyrë perëndimore për t’u treguar me gisht si i dyshuar. Shpëtova mirë, pasi vetëm më kërcënuan e më shkundën pak, por ndokush është rrahur e i kanë vjedhur çdo gjë. Një gazetar suedez është plagosur rëndë. Duhet të themi se “skuadroneve” pro-Mubarak, ku bënin pjesë banditë burgjesh, nuk u pëlqen që gazetarët perëndimorë të japin informacion mbi Egjiptin, mbi kaosin, mbi protestën, mbi realitetin. Dje, e kemi provuar në lëkurën tonë se ky aksion u bë në mënyrë kapilare. Nuk mund të lëviznim, as më këmbë, as me taksi, sepse rreziku ishte tejet i madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.