2011-02-04 19:31:36

Gjykata e Strasburgut dënon Belgjikën dhe Greqinë për mosrespektim të të drejtave të njeriut.


(04.02.2011 RV)Dënimi i kohëve të fundit i Gjykatës Evropiane dhënë Greqisë dhe Belgjikës, akuzuar se kanë dhunuar të drejtat themelore të një azilkërkuesi, po e hapë edhe një herë debatin mbi nevojën e reformimit dhe të harmonizimit të politikave në fushën e emigracionit në Bashkimin Evropian. Gjyqtarët akuzojnë në veçanti të ashtuquajturën “Rregullore të Dublinit” të vitit 2003, e cila iu imponon azilkërkuesve të paraqesin kërkesë për strehim në vendin e parë të BE-ian ku arrijnë, por pa marrë parasysh nëse ai vend i respekton apo jo rregullat më elementare të mikpritjes.
Gjithçka nisi kur një azilkërkues afgan i paraqiti Gjykatës Evropiane padi kundër Belgjikës dhe Greqisë. Ardhur në Belgjikë nga Afganistani përmes Iranit, Tuqisë dhe Greqisë ai i kishte paraqitur kërkesë për strehim politik autoriteteve belge pasi në vendlindje ishte i persekutuar nga talebanët. Por Belgjika, sipas “Rregullores së Dublinit”, e kishte degdisur në Greqi, ku azilkërkuesi kishte jetuar në kushte të rënda. Para pak ditësh gjykatësit dënuan si Belgjikën ashtu edhe Greqinë duke iu kërkuar t’i paguajnë azilkërkuesit dëmshpërblim për poshtërimet dhe vuajtjet e shkaktuara. Dhe kjo gjë nuk është e parëndësishme po të kemi parasysh numrin e madh të atyre që kërkojnë azil dhe që braktisen sepse disa nga shtetet e BE nuk i respektojnë të drejtat e refugjatëve.
Në mikrofonin tonë flet zëdhënësja e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët për Italinë Laura Boldrini:

Përgjigje: Përsa i përket Greqisë, do doja të vija në dukje se Komisariati i lartë pati nxjerrë një qarkore dërguar të gjitha vendeve të Bashkimit evropian në prill të 2008 ku i ftonte këto shtete të mos i kthenin mbrapa në Greqi ata që kërkonin azil, pikërisht sepse kushtet e asistencës dhe të mbrojtjes në atë vend nuk ishin aspak të përshtatshme. Ndërsa përsa i përket Belgjikës azilkërkuesi në fjalë duhet të marrë dëmshpërblim për sa ka vuajtur dhe pikërisht për këtë arsye, duhet të qëndrojë në Belgjikë.

Pyetje: A mund të themi sot se në Evropë gjendja e azilkërkuesve, respektimi i të drejtave të tyre, është përmirësuar në krahasim me të kaluarën?

Përgjigje: Ajo çka tregon edhe ky vendim i Gjykatës së Strasburgut është se mbase disa nga mekanizmat e legjislacionit evropian duhet të ndreqen. Mendoj, pra se ky do të jetë një rast i mirë edhe për të reflektuar mbi “Rregulloren e Dublinit.”







All the contents on this site are copyrighted ©.