2011-02-04 18:47:17

Bashkësia e Shën Egjidit: në rend të ditës, bashkëjetesa


(04.02.2011 RV)Në një Kishë, që u përket të gjithëve, duhet krijuar kultura e “Tjetrit”, në vend të kulturës së përbuzjes, e sidomos, për njerëzit më të ligësht. Ky është mesazhi i Bashkësisë së Shën Egjidit, që kremtoi dje 43-vjetorin e ditëlindjes me një meshë solemne në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, në praninë e një mori njerëzish të varfër, përkrah prelatëve e përfaqësuesve të institucioneve më të larta, ardhur nga mbarë bota. Ndërmjet tyre, përfaqësuesit e shqiptarëve, kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi dhe ipeshkvi i Sapës, imzot Lucian Avgustini.RealAudioMP3
Ishte rast i përshtatshëm për të bërë bilancin e veprimtarisë së zhvilluar gjatë vitit 2010. E, pas këtij bilanci të pasur, për të përcaktuar edhe vijimin e rrugës. Kësaj rruge iu kushtua sot konferenca e shtypit, gjatë së cilës u paraqit Bisedimi IV i studimit dhe i reflektimit, me temë: “Rendi i ditës i bashkëjetesës. Të krishterët e myslimanët për një ardhmëri të përbashkët”.
Gjatë këtij takimi foli Mohamed Sammak, i dërguar i posaçëm i Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, këshilltar politik i myftiut të madh të Libanit. Të pranishëm, edhe shumë personalitete të tjera fetare e civile, që do të marrin pjesë në Bisedimin e 23 shkurtit 2011. Ndërmjet tyre, edhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini.
Gjatë bisedimit të 23 shkurtit të ardhshëm, do të preken disa nga problemet më të mprehta, që kanë të bëjnë me bashkëjetesën, në një botë plot larmi, në të cilën pak nga pak zhduken kufijtë gjeografikë të besimeve e krijohet një hapësirë fetare pa kufij, në të cilën besimtarët e feve të ndryshme jetojnë gjithnjë më pranë njëri-tjetrit. Do të flitet, prandaj, për lidhjen ndërmjet vendit ku jetohet e identitetit fetar, për rrënjët e mëdha shpirtërore, solidaritetin shoqëror dhe edukimin me kulturën e bashkëjetesës. Do të dëgjohet zëri i disa prej autoriteteve më të larta fetare të Irakut, Libanit, Egjiptit, Tokës Shenjte, Arabisë Saudite, Algjerisë, Katarrit, Tunizisë, vende me plagë të rënda, të hapura, por edhe i përfaqësuesve të vendeve kryesore perëndimore, nga Italia, tek Gjermania e Spanja.
E gjithë veprimtaria e Bashkësisë së Shën Egjidit synon të realizojë takimin ndërmjet njerëzve të ndryshëm, për t’i ndihmuar të krishterët që ta shikojnë çdo fytyrë, si fytyrë e vëllaut e fytyrë e Krishtit. Ky është misioni i Bashkësisë së Shën Egjidit në botë, sipas fjalëve të kardinalit Ravazi gjatë Meshës për kremtimin e 43-vjetorit të themelimit të Bashkësisë, që është e pranishme në 73 vende, me 60 mijë vullnetarë. E viti i 43-të i jetës iu kushtua kryesisht Afrikës, në shërbim të dialogut e të paqes, me ndërhyrje vendimtare për zgjidhjen e krizës në Niger e në Guine, por edhe me programe për ruajtjen e shëndetit, për luftën kundër sëmundjeve ngjitëse dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, siç na e shpjegon Marko Impaliaxo, kryetar i Bashkësisë:
Për ne Afrika është Kontinent i privilegjuar. E kjo, sepse është pikërisht përballë Evropës, me të cilën e lidh një fat i përbashkët. Po punojmë në Afrikë për realizimin e një programi të madh, atij të regjistrimit të fëmijëve në gjendjen civile. Ka një emër simbolik “Bravo”- “Të lumtë”: kujtojmë se çdo tre fëmijë të lindur në Kontinentin e zi, dy nuk regjistrohen fare në gjendjen civile. Prej këndej, nuk kanë asnjë të drejtë, sepse konsiderohen si të palindur. E si të tillë edhe rriten e i nënshtrohen të gjitha llojeve të shfrytëzimit. Pastaj shtoj se për ne ne Viti i Afrikës ishte edhe vit i krijimit të bashkësive tona të reja e, natyrisht, vit i thellimit të ungjillëzimit në një kontinent me mundësi të mëdha”.
Impenjohet për ta bërë Kishën – Kishë të të gjithëve, Bashkësia, e posaçërisht të të varfërve, me të cilët vit për vit shtrohet në të njëjtën sofër, ditën e Krishtlindjes, në bazilikën romake të Shën Marisë në Trastevere. Së bashku, pleq, të gjymtuar, të pastrehë, Rom: një sofër, që flet vetë për luftën kundër çdo lloj forme të përjashtimit shoqëror, që u kujton të gjithëve se pakicat e të ligështit nuk duhen parë si armiq, sidomos në situata krize, kur njeriut i rëndon edhe vetvetja. Respekt për dinjitetin njerëzor, respekt për çdo jetë njerëzore! E pikërisht nga ky respekt, lind edhe impenjimi i Bashkësisë kundër dënimit me vdekje. Për këtë, në mikrofonin tonë, flet zëdhënësi i Shën Egjidit, Mario Maraziti:
“Bashkësia e Shën Egjidit sivjet ka punuar që në OKB të shtohen votat në favor të Rezolutës, miratuar në nëntor e pastaj në dhjetor të vitit 2010 - mbi çështjen e dënimit me vdekje. Kemi arritur të sigurojmë 109 vota në favor; është pakësuar shumë numri i votave kundërshtare. Mendoj për presidentin e Mongolisë, presidentin e Maldiveve, vende që më parë ishin në kundërshtim me Rezolutën; mendoj edhe për mbështetjen e shumë të dënuarve me vdekje; për impenjimin që të ndalohet eksportimi e pastaj edhe prodhimi i “sodium thiopental”, një nga tre injeksionet, të cilat përdoren për ekzekutimin e të dënuarve. Kemi arritur që ndërrmarrja farmaceutike prodhuese e “sodiumit” ta tërheqë nga tregu. Mendoj se është edhe ky një hap, sado i vogël, për ndalimin e dënimit me vdekje!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.