(03.02.2011 RV)Të dashur dëgjues, të dielën e ardhshme, Kisha Italiane kremton
Ditën e jetës. Na u duk një rast i bukur për të folur mbi kuptimin e krishterë të
“jetës”. Kjo është pra, fjala që do të shpjegojmë në emisionin e sotëm.
Jeta
ka dy fytyra: kemi jetën fizike, atë që në greqisht quhet “bios” dhe, kemi
një jetë tjetër me domethënie më të thellë e më simbolike, që grekët e quajnë “zoé”.
Bibla u jep rëndësi të dyjave dhe e bën në mijëra forma, që nuk mund të përmblidhen
lehtë. Prandaj, ne do të merremi vetëm me këto dy trajektore, që sapo përvijuam, duke
lënë të tjerat. E para, jeta fizike, duket që në fillim të Shkrimit Shenjt, me
krijimin e njeriut: “Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër
hundë i shtiu frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë” (Zan 2,7). Në
të vërtetë, fryma e jetës i përket çdo qenieje të gjallë, por njeriu merr edhe një
lloj tjetër fryme, që i jep ndërgjegjen, vetëdijen e prandaj, e orienton drejt jetës
shpirtërore. Gjithsesi, jeta fizike mbetet themelore e, në traditën e lashtë semite
përfaqësohet nga gjaku, që nuk duhet derdhur e as duhet prekur. Por trupi nuk konsiderohet
thjesht si diçka materiale. Ai është një me përshpirtërinë e njeriut. Për këtë arsye,
në Besëlidhjen e Re, ai quhet “Tempull i Shpirtit Shenjt që banon në ju e që e
keni prej Hyjit”, siç thuhet në Letrën e parë drejtuar Korintianëve (6,19). Në
këtë dritë ka rëndësi jeta fizike, e cila perceptohet si e shenjtë e si dhuratë e
çmuar e Zotit. Aq është e vërtetë kjo, sa vetë Zoti quhet “I Gjalli”, me vetëdijen
se, siç shkruhet në Librin e Urtisë, “Ai gjithçka krijoi që të jetojë dhe, në botë,
breznitë janë shpëtimprurëse e në to nuk ka vrer shkatërrues” (1,14). Vdekja dhe
sëmundja konsiderohen pasojë e mëkatit, megjithëse kjo nuk është formulë matematike
shkak-pasojë, ndërsaj jeta është shprehje e shëlbimit. Është domethënës fakti se vepra
kryesore e Krishtit ka qenë shërimi i të sëmurëve, duke i dhënë kështu jetës plotësinë.
Por kemi edhe një trajektore të dytë për të ndjekur. Ajo na tregon se jeta fizike
është shenjë e një jete tjetër, që lulëzon nga burimet transhendete, nga lart, nga
Hyji. Kështu, në letërsinë e lidhur me Librin e Urtisë, jeta lind nga urtia e drejtësia.
Në pagëzimin e krishterë marrim një frymë, apo shpirt tjetër, i cili na jep atë jetë,
që merr pjesë në jetën e vetë Zotit, duke u bërë bijtë e tij në shpirt. Shën Pali
Apostull e quan këtë “të jetosh sipas Shpirtit” (Rm 8,5). Do të thotë të marrësh
pjesë në jetën e Krishtit të ringjallur, frytet e së cilës janë “dashuria, hareja,
paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria” (Gal 5,22). Fjala
e Zotit është “jetë e jeta është drita e njerëzve” pohon Shën Gjoni Ungjilltar (1,4),
i cili përdor fjalën “jetë e pasosur” për të përkufizuar jetën hyjnore, që na është
dhënë në sajë të Hirit të Zotit: “Hyji na e dha jetën e pasosur e kjo jetë është
në Birin e Tij. Kush e ka Birin, ka jetën, kush nuk e ka Birin e Hyjit, nuk e ka jetën”
(1 Gjn 5,11-12). Për ta fituar këtë jetë, që nuk njeh vdekje, mund të jetë madje
e nevojshme të heqim dorë nga jeta fizike, por vetëm në një akt dashurie: “Dashuria
më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet”,
thekson shën Gjoni (15,13). E Krishti është dëshmitari më i madh i këtij vendimi,
pasi u kryqëzua për dashurinë ndaj botës e për shëlbimin e njerëzimit. Shenja e përhershme
e Tij është në “bukën e jetës”, në hosten e në kelkun e shenjtë, korpi
e gjaku i Krishtit, dhuruar për ne që të fitojmë jetën hyjnore.