2011-02-03 15:55:44

Paraqitet mesazhi i Papës për Ditën Botërore të të Sëmurit


(03.02.2011 RV)RealAudioMP3 “Nga plagët e Tij u shëruat”: ky është titulli i mesazhit të Benediktit XVI për Ditën Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt, në festën e Zojës Lurdë. Sot paradite, ai u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, nga kryetari i Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, imzot Zigmunt Zimovski. Të shtunën, Këshilli organizon seminarin, që mbyll veprimtaritë për 25-vjetorin e dikasterit.
Qëllimi i ditës, siç theksoi imzot Zimovski, duke kujtuar dëshminë e Papës së dashur Gjon Pali II, që e themeloi, është ta shohë misterin e vuajtjes njerëzore në dritën e fesë e të promovojë solidaritetin ndaj të sëmurëve, që askush të mos lihet pa kura, pa kujdes e dashuri njerëzore:
“Së pari, të sensibilizohet populli i Zotit e shoqëria civile për botën e vuajtjes e të ndihmohen vetë të sëmurët ta vlerësojnë vuajtjen. Pastaj, të përfshihen dioqezat, bashkësitë e krishtera e familjet rregulltare, në baritorinë e shëndetësisë. Përveç kësaj, është shumë e rëndësishme, që këtë vit të favorizohet impenjimi i vullnetarëve. Viti 2011 i kushtohet nga Evropa vullnetariatit. Kjo ditë duhet të nxisë formimin shpirtëror e moral të veprimtarëve të shëndetësisë, të mjekëve, të infermeierëve e të farmacistëve. Së fundi, duhet të tërheqë vëmendjen ndaj ndihmës shpirtërore për të sëmurët. Flasim për meshtarët, për kapelanët e spitaleve, por edhe për laikët, që formojnë bashkësi, për t’u qëndruar afër të sëmurëve”.
Një herë në tri vjet, Dita Botërore e të Sëmurit kremtohet solemnisht nga e gjithë Kisha e jo vetëm në nivel dioqezan. Takimi i ardhshëm është në vitin 2013 në Gjermani, në shenjtëroren mariane të Altëting. Pastaj mendimi i imzot Zimovskit shkoi tek lumnimi i afërt i Papës Gjon Pali II:
“Mendoj se në çdo dioqezë, Dita Botërore e të Sëmurit do të jetë rasti për t’u përgatitur edhe për lumnimin e Gjon Palit II. 1 maji është afër. E me këtë rast, dua të theksoj se Karol Vojtila ishte “i sëmurë ndër të sëmurët”. Ai vetë thoshte se kishte tri shtëpi: në Qytetin e Vatikanit, në Kastel Gandolfo dhe në Poliklinikën Gemelli, ku ka kaluar jo ditë, por muaj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.