2011-02-03 15:59:00

Ipeshkvijtë e BE-së shprehin keqardhjen për shtyrjen e miratimit të rezolutës mbi persekutimin e të krishterëve


(03.02.2011 RV)Komeçe, Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian, u prononcua dje pasdite mbi rezolutën e pamiratuar nga Brukseli, në të cilën dënohen persekutimet kundër të krishterëve e pakicave të tjera fetare në botë. Kujtojmë se 27 ministrat e jashtëm evropianë nuk ranë dakord për nënshkrimin e rezolutës, vetëm se jo të gjithë dëshironin të përmendeshin qartë të krishterët në të. Në notën e saj të fuqishme, Komeçe thekson se “sulmet e fundit kundër të krishterëve nuk janë fakte të izoluara. Statistikat dokumentojnë se shumica e sulmeve kundër lirisë fetare kanë të bëjnë me të krishterët”. Gjithçka është e paraqitur më së miri në prononcimin e Parlamentit evropian, më 20 janar, dhe në atë të Këshillit të Evropës, më 27 janar. Duke kujtuar se “detyra për mbrojtjen e të drejtave themelore, ndër të cilat është edhe liria fetare, shprehet qartë në Trakatet e Bashkimit Evropian e në shumë deklarata zyrtare”, ipeshkvijtë pohojnë: “Presim që Bashkimi Evropian të verë në jetë veprime konkrete për zbatimin e parimeve, që ka nënshkruar vetë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.