(02.02.2011 RV)Festa e dritës (shih Lk 2,30-32), e ka zanafillën në Lindje,
ku njihet me emrin ‘Ipapánte’, që domethënë ‘takim’. Në shekullin VI u shtri edhe
në perëndim, ku mori ngjyrime origjinale: në Romë, me karakter pendestar e në Gali,
me bekimin solemn e procesionin me qirinj. Prej këndej populli i këtyre vendeve nisi
ta quante festën ‘Kandelora’ - tek ne, ‘Zoja e Qirave’. Paraqitja e Zotit në tempull,
që mbyll kremtimet e Krishtlindjes me dhuratën e Virgjërës Mari e me profecinë e Simeonit,
i hap rrugën Pashkëve. Në Martiriologun Romak shkruhet: “Festa e paraqitjes së
Zotit, e quajtur ‘Ipapánte’ nga grekët, kremtohet 40 ditë pas lindjes së Krishtit,
kur Maria e Jozefi e çuan Jezusin në tempull, si për t’iu nënshtruar ligjit të Moisiut,
ashtu edhe për të takuar popullin e tij besimtar e të ngazëllyer, si dritë që ndriçon
njerëzit e lavdi e popullit të Izraelit”. Dëshmia e parë për kremtimin e festës
së sotme vjen nga Jeruzalemi i shekullit IV e, deri në reformimin e Kalendarit, njihet
si Festa e pastrimit të Virgjërës Mari, që tregohet në Ungjillin e Lukës. Tradita
shqiptare na kujton se sot kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull e pastrimi i
Zojës prej ligimit të fëmijës. Sipas Ligjit të Moisiut, çdo djalë i parë, 40 ditë
pas lindjes, çohej në tempull dhe aty i kushtohej Hyjit ndërsa, në të njëjtën kohë,
e ëma, me një bekim të veçantë, pastrohej nga përlimi i lindjes e fitonte rishtas
të drejtën të merrte pjesë, me gratë e tjera, në kremtimet fetare të tempullit.Që
këtu dokja e dikurshme kishtare që gruaja, pas lindjes, duhet të paraqitej, porsa
të çohej nga ligimi i fëmijës, në Kishë, që të hynte në uratë. Për të shprehur nënshtrimin
e plotë, prindërit duhet të çonin një qengj si flije falënderimi, ose, në se ishin
të varfër, një çift pëllumba a turtuj. Krishti, që në çastet e para të jetës deshi
t’i rrinte besnik Ligjit të Moisiut. Prej këndej të përgjakunit dhe shugurimi zyrtar
ndaj Zotit. Po ashtu Zoja e Bekuar, krijesa më e pastër, pranoi të pastrohej, ashtu
si të gjitha gratë. Ndërsa Krishti fëmijë kryen këtë sjellje rituale, një plak i del
para Marisë e Jozefit e, duke e marrë foshnjën në duar të veta, njeh në Të e dëshmon
Shëlbuesin. I rrëmbyer në shpirt, këndon këngën profetike: “Tani merre, o Zot, shërbëtorin
tënd, sipas fjalës sate, në paqen tënde, sepse sytë e mi panë shpëtimin (Shëlbuesin)
që vjen prej teje (Ungjilli). Mesha e ditës paraprihet nga bekimi i qirinjve, simbol
i Krishtit, që është drita e botës e nga procesioni, i cili simbolikisht e drejton
besimtarin drejt tempullit të qiellit, drejt lumturisë së pasosur.