2011-02-02 17:55:18

13 qershor: Tereza e Avilës, mistike e pakuptuar.


(02.02.2011 RV)Qershor 1560. Në korridoret e kuvendit të Mishërimit të Zotit, në Avila të Spanjës, një grup i vogël murgeshash pëshpërit me zë të ultë. Në sytë e murgeshave lexohet dyshimi.
“Sot në mëngjes e pashë përsëri Terezën në ekstazë, me një pamje krejtësisht të hutuar. E tunda fort nga supet, por ajo bëri sikur s’ më pa”.
“Si? Sikur s’të pa? E po mbarë e paskemi punën!”.
Kjo lojë është vërtetë ngacmuese! Vegimet e saj janë provokuese e ajo s’bën tjetër, veçse të luajë rolin e shenjtores. Dëshiron të lartohet në elter nga vetë papa, por edhe sikur të bëjë mrekulli, nuk do t’ia arrijë kurrë asaj dite”.
“Madje as kjo komedi nuk e kënaq…. Zonja po na dëshiroka ta reformojë Karmelin, ta bëjë urdhërin tonë më të shtrënguar, më të heshtur, më pranë Hyjit. Mua më duket se të gjitha këto i bëjmë e i teprojmë!”.
Një murgeshë e zbehtë ndërhyn druajtshëm:
“Ndoshta kemi vërtetë nevojë për një reformë. Motra të dashura, mua më vjen turp: jemi këtu prej dhjetë minutash, duke marrë nëpër gojë motrën tonë, si ndrikullat në pazar, ndërsa do të ishte më mirë të luteshim…”.
“Mbylle shpejt atë gojë, budallaqe. Duhet ta kesh kokën fare bosh, që të besosh në shenjtërinë e Terezës”.
E pra motrat gabohen, e rëndë madje. Shumë shpejt Kisha do ta zbulojë e do ta admirojë jetën shpirtërore të Terezës së Avilës. E megjithatë, është plotësisht e vërtetë se kjo murgeshë bezdis shumëkënd. Tereza është mistike, dmth njeri që e jeton deri në fund të shpirtit bashkimin e me Hyjin. E sheh, i flet e i kushton vargje dashurie. Është vasha e Tij. Të pakta janë mistiket si ajo, në historinë e krishtërimit. Të lë fare pa mend.
Më 24 gusht 1562 Tereza do të gëzohej duke parë lindjen e Karmelit të parë të reformuar të Shën Jozefit, pranë kuvendit të Lajmërimit të Zojës së Bekuar. U themelua prej njërës nga mikeshat e saj e me porosi të saj, sepse në fillim nuk i dhanë leje të largohej nga kuvendi ku ndodhej. E tronditur thellë nga kritikat e nga sulmet, Tereza nuk ishte fare pa mbrojtje. Para së gjithash, mbështetej moralisht nga Gjoni i Kryqit, rrëfyesi e miku i saj, edhe ai mistik i madh. Pastaj kishte mbështetjen e eprorit të të gjithë karmelitanëve, që rregulltarët e quajnë Ati i përgjithshëm ose gjenerali, i cili nuk dyshoi për asnjë çast në shenjtërinë e Terezës dhe i kërkoi të themelojë në Spanjë aq kuvende, sa fijet e flokëve që kishte në kokë”.
Kur mbylli sytë për dritën e kësaj toke, Tereza kishte themeluar pesëmbëdhjetë: e nuk ishin pak… Reforma e saj vijoi të përhapet, derisa u bë rregull i ri për të gjithë karmelitanët e botës.
Shkëputur nga “Libri i mrekullive”; Editrice Velar, mars 2007.







All the contents on this site are copyrighted ©.