2011-02-01 13:04:00

Papa i fton besimtarët ta dëshmojnë Krishtin pranë njerëzve që vuajnë, atje ku lufta kundër sëmundjeve është më urgjente.


(01.02.2011RV)RealAudioMP3 Ati i Shenjtë i fton besimtarët të luten, që bashkësitë e krishtera ta dëshmojnë praninë e Krishtit pranë njerëzve që vuajnë, pikërisht në trojet e misionit, ku lufta kundër sëmundjeve është më urgjente. Ky është ndjeti misionar i lutjes së Benediktit XVI për muajin shkurt. Në sa ndjeti i përgjithshëm, na fton të lutemi që familja të respektohet e të gjithë ta pranojnë se kontributi, që i jep shoqërisë, është i pazëvendësueshëm.
Por, të rikthehemi tek ndjeti misionar, kushtuar të sëmurëve, për të cilët Papa ka folur shumë herë. Ndonëse sëmundja nuk mund të përjashtohet nga jeta njerëzore – pati theksuar në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 8 shkurtit 2009 - nuk e kemi aspak të lehtë ta pranojmë, jo vetëm sepse nganjëherë bëhet e padurueshme, por kryesisht sepse jemi krijuar të jetojmë! Ta jetojmë me fund jetën tonë! E kur e keqja na vë në provë e na duket se lutjet tona janë fare të kota, përgjigjen e gjejmë te Ungjilli e jo tek vdekja. Te guximi për të thënë qartë, për shembull, se eutanazia është zgjidhje e rreme e dramës së vuajtjes, zgjidhje e padenjë për njeriun. Përgjigja e vërtetë nuk mund të jetë t’i japësh tjetrit vdekjen, sado ‘e ëmbël’ të duket a të quhet, por t’i dëshmosh dashurinë, që e ndihmon të përballojë dhimbjen e agoninë në mënyrë njerëzore. Jemi të sigurt: asnjë pikë loti, as e atij që vuan e as e atij që i rri pranë, s’ka për të humbur kurrë para syve të Zotit!
Por, si mund të dëshmohet prania e Krishtit, pranë njerëzve që vuajnë? Përgjigjen ia kërkuam vëllaut Marko Fabelo, drejtor i Revistës “Bënimirëvëllezër” (Fatebenefratelli):

Përgjigje: - Janë bashkësitë e krishtera më të lashta, me themele më të thella, ata, të cilat duhet ta dëshmojnë këtë prani të Krishtit pranë njerëzve që vuajnë, posaçërisht në trojet e misionit, por edhe në misionet tona të përditshme. Natyrisht në tokat e misionit ka shumë më pak mjete, shumë më pak specialistë, shumë më pak mundësi, por pikërisht këtu është terreni që, ndoshta, di ta pranojë Ungjillin, shumë më mirë se vendet tona, se qytetet tona.

Pyetje: - Me që kujtuat Ungjillin: Jezusin e shikojmë gjithnjë pranë të sëmurëve, pranë çalamanëve, të verbërve, të gërbulurve. Me ç’frymë i shërben sot Kisha misionare botës së vuajtjes…

Përgjigje: - Me po atë frymë, që i shërbente Jezusi. E bashkësitë e para të krishtera. Frymë, që kërkon ta ndihmosh të afërmin, i cili ka nevojë për një dorë. E kjo, jo për të bërë një vepër filantropike a kush e di ç’ mrekulli tjetër, por për t’ia shtrirë dorën çdo njeriu, në emër të Krishtit, i cili na mëson t’i ndihmojmë të varfërit e nevojtarët, të çojmë shëndetin, atje ku ka sëmundje fizike e hirin e shëlbimit, atje ku njeriu vuan nga sëmundjet shpirtërore, më të rëndat.
Pyetje: - Sëmundjet, siç e kujtuat edhe ju, janë të shumta, por ajo më e rënda, nga e cila vuan njeriu i të gjitha kohëve, është mungesa e Zotit. Si mund të mjekohet kjo sëmundje kaq e rëndë, ndonëse jo e pashërueshme?

Përgjigje: - Veprimtaria jonë duhet të jetë e tillë, që t’i ndihmojë njerëzit t’i afrohen Zotit, i cili i do, nuk i braktis kurrë, edhe atëherë kur u duket se i ka lëshuar dore.

Pyetje: - Dhimbja e ligështia, pasojë e sëmundjes, mund ta vënë fenë në provë të rëndë. Si mund të zbulohet, atëhere, kuptimi i vuajtjes, me sytë ngulur tek Kryqi i Krishtit, tek mundimet e tek Ringjallja e Zotit?

Përgjigje: - Kjo është një nga temat më të rëndësishme, me të cilën takohemi ditë për ditë: vuajtja, nganjëherë, në vend që ta afrojë njeriun tek Zoti, e largon. E unë mendoj se kjo është prova më e rëndë, që jeton i krishteri e që mund ta ndajë edhe prej miqve më të afërt, prej atyre të cilët, pavarësisht nga të gjitha, vijojnë të besojnë se Zoti e ndihmon njeriun edhe në çastet më të rënda, si çasti i fundmë i jetës, për shembull, nga i cili nuk shpëton askush!

Pyetje: - Priftërinjtë, rregulltarët e shekullarët, që rrinë tek koka e të sëmurëve, në të katër anët e botës, janë duart e zemra e Krishtit. Përmes tyre, fjalët e Zotit, “Atë që ia keni bëri njërit nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua!” bëhen realitet i prekshëm. Kështu?

Përgjigje: - Buka, që u duhet dhënë këtyre njerëzve; uji, që duhet t’u njomë buzët; këshilla, që s’u duhet kursyer, sot më shumë se kurrë, janë bukë shprese e ujë shëndeti. Ndoshta ajo që ka më shumë rëndësi, është të bindemi ne vetë se e duam Zotin mbi gjithçka, e pastaj t’ua përcjellim këtë dashuri, që ka Zoti për ne e ne për Të, edhe vëllezërve të tjerë. Në se nuk i duam vëllezërit, posaçërisht ata, që kalojnë orë të vështira, si mund të themi se e duam Zotin?

Pyetje: - Me që folët për dashuri e impenjim, Urdhëri spitalor Fatebenefratelli është i pranishëm në 50 vende, në të pesë kontinentet, me rreth 400 vepra apostolike. Ç’përfaqëson kjo prani në tokat e misionit?

Përgjigje: - Për ne, të jesh në toka misioni, do të thotë të jesh pranë njerëzve, që kanë nevojë, që kanë shumë nevojë, e t’i ndihmosh. Atë që nuk mund ta bëjmë ne, pastaj, e lëmë në dorë të Provanisë. E bën vetë Zoti!







All the contents on this site are copyrighted ©.