2011-02-01 16:55:00

Në Egjipt vazhdojnë protestat kundër Mubarakut. Atë Samir: Vendi ka nevojë për reforma demokratike.


(01.02.2011 RV)Sheshi Tahrir në Kajro, sot ishte plot e përplot me manifestues që iu përgjigjën thirrjes së organizatorëve për protesta kundër qeverisë dhe presidenti Mubarak. Po ashtu interneti vazhdon të jetë i bllokuar dhe qarkullimi në autostradën Suez- Kajro është ndërprerë. Ministria e jashtme e Shqipërisë lajmëroi se nga Egjipti po kthehen të gjithë shtetasit shqiptarë, afro 100 vetë, që gjendeshin atje për pushime, studime apo biznes. Madje në dispozicion të tyre është vënë edhe një aeroplan.
Nga ana tjetër ushtria egjiptiani njoftoi sot në një komunikatë se kërkesat e popullit janë të drejta dhe se ajo nuk do të përdorë dhunën kundër tij. Po ashtu presidenti Mubarak iu bëri ftesë partive opozitare të bashkëpunojnë, ftesë kjo që u refuzua menjëherë nga grupimi i “Vëllezërve myslimanë”.
Po cilat janë shkaqet e kësaj proteste? Në mikrofonin tonë flet docenti i Historisë dhe i Kulturës Arabe dhe i Islamologjisë në Liban, jezuiti egjiptian Atë Samir Kalil Samir. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Mendoj se shkaku themelor është para së gjithash gjendja ekonomike shumë e keqe e një pjese të madhe të popullsisë. Nëpër gazeta lexohet se afro 40% e popullit egjiptian jeton në kushte varfërie absolute, nuk arrijnë as dy dollarë për njeri në ditë. Çmimet janë rritur brenda vitit, nga pesë në tridhjetë herë. Të pasurit përfitojnë, ndërsa të varfërit paguajnë pasojat. Qeveria po bën diçka por është pak. E këtu lind edhe rreziku i islamizmit fondamentalist, ndër të cilët bën pjesë grupimi “Vëllezërit myslimanë” e të tjerë, të cilët e kanë kuptuar se për të marrë disa vota nevojitet të mbështesin disa vepra sociale.

Pyetje: Domethënë edhe ju mendoni se ekstremistët islamikë mund të përfitojnë nga kjo situatë e paqëndrueshme politike për të marrë pushtetin?

Përgjigje: Sigurisht. Ata duan pushtetin. Partia e “Vëllezërve myslimanë” ka lindur në vitin 1928 me këtë qëllim: të krijojë shtete me të vërtetë islamike, sepse mendojnë se Egjipti është shumë i ndikuar nga perëndimi. Duan, pra, pushtetin për të kryer reformat që ata i quajnë më të mira për popullit e që të tjerët i quajnë si tepër të këqija. Ja, pra, jemi ne që i krijojmë këto parti politike atëherë kur nuk garantojmë lirinë dhe mbi të gjitha ndihmën shoqërore. Po qe se këto mungojnë atëherë lëvizjet radikale përfitojnë dhe futen kështu në skenën politike. Tani për tani regjimi i Mubarakut ushtron represion dhe i ka ndaluar këto grupime politike qysh në fillim, të cilat, nga ana e tyre, futen edhe në parti të tjera me çfarëdolloj emri, për të propozuar një politikë islamike. Por Egjipti është një vend i moderuar, dhe rebelimi nuk është në natyrën e egjiptianit. Ai do thjeshtë të jetojë.

Pyetje: Pra, vetëm demokratizimi i Egjiptit dhe i vendeve të tjera mund të jetë zgjidhja që grupimet islamike mos ta marrin pushtetin, apo jo?

Përgjigje: Po, por le të saktësojmë se çdo të thotë për ne demokratizim. Do të thotë para së gjithash drejtësi për të varfërit. Pastaj është edhe kërkesa për më shumë liri. Gjendemi në një regjim që kontrollon së tepërmi ngaqë ka frikë nga ekstremistët. Është një rreth vicioz, me një fjalë. Si do të dalim prej këndej? Duke bërë reformat. Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është i madh. Duhen pra ligje sociale, shërbime sociale më të gjera. Arsimi gjendet në një situatë katastrofike, ka shumë analfabetë. Në fakt këta pothuajse kapin 40% -shin.

Sidoqoftë, shqetësimi kryesor për Evropën, tashpërtash është mbyllja e kanalit të Suezit. Po qe se mbyllet Suezi atëherë e gjithë ekonomia e Mesdheut do të pësonte dëme të pallogaritshme.
Kanali i Suezit është inauguruar më 17 nëntor 1869. Në festime përveç autoriteteve të tjera të shquara nga a gjithë bota pati marrë pjesë edhe një shqiptar, Imzot Luigj Çurçia, asokohe vikar apostolik i Selisë së Shenjtë për të krishterët latinë dhe kryeipeshkëv i Irenopolit, i cili edhe e pati bekuar këtë vepër të madhe. Qarkullimi në Kanalin e Suezit është mbyllur për herë të fundit në vitin 1956 kur u shtetizua nga presidenti egjiptian Naser, gjë që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Francës, Anglisë dhe Izraelit.







All the contents on this site are copyrighted ©.