2011-02-01 13:04:29

DBR Madrid 2011: një patrullë akrobatike avionësh për të pëshëndetur Papën


(01.02.2011 RV)Madridi punon ethshëm për të përgatitur Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në kryeqytetin spanjoll nga 16 deri më 21 gushtin e ardhshëm. 200 ditë para fillimit të kësaj ngjarjeje të madhe, qyteti përgatitet për të pritur të rinj nga të katër anët e botës. Në takimet përfundimtare parashikohet një turmë vigane, prej më se 2 milionë vetësh. Ndër rrugët e sheshet kryesore tashmë vijojnë të duken afishet e mirëseardhjes, ndërsa në vendet më simbolike, si Muzeu i Prados, Bursa e Pallati i Postës, po punohet për realizimin e një ndriçimi të ri. Agjensia Sir njofton se kanë nisur të jepen edhe lajme për pritjen e Benediktit XVI nga aeroporti i Barajas, deri në Sheshin Cibeles, fare pranë të cilit ndodhet Porta e Alkalasë, ku Papa do të takohet me të rinjtë. Gjatë gjithë kësaj rruge, që do të përshkojë, Benedikti XVI do të shoqërohet nga Roja Mbretërore, ndërsa patrulla akrobatike “Shqiponja” e Flotës Ajrore do të vizatojë në qiell flamujtë e Vatikanit e të Spanjës. Edhe një grup motoçiklistësh evropianë ka shprehur gatishmërinë për ta shoqëruar Atin e Shenjtë, sapo të shkelë në Barajas.
Për të përgatitur DBR-në zbresin në fushën e betejës edhe gjyshërit: këto ditë po ndiqet një fushatë publiciteti për DBR-në, protagonistë të së cilës janë “të rinj” që i kanë kaluar të 60-tat e që dëshirojnë të kryejnë shërbimin si vullnetarë. Me këtë rast u krijua edhe Klubi i gjyshërve. Tesera n. 1 e këtij Klubi iu dorëzua Roza Garcias, nënë e 13 fëmijëve, gjyshe e 24 nipave e mbesave e stërgjyshe e 7 stërnipave e stërmbesave! E meriton plotësisht të quhet “e re” e pjesëmarrëse aktive e Ditës, në të cilën do të nisë një ushtri pjesëmarrësish.








All the contents on this site are copyrighted ©.