2011-01-31 18:32:50

Sot Kisha kujtoi Shën Gjon Boskon, themelues i salezianëve, atë dhe mësues i të rinjve.


(31.01.2011 RV)Gjon Bosko është shenjt i madh i kohëve moderne. Pajtor i studentëve e i botuesve, meshtari torinez lindi në vitin 1841. Kujtohet si krijues i Oratoreve, vend takimi e dëfrimi për të rinjtë, edukimit të të cilëve ia kushtoi gjithë jetën. Meqë pati shumë devocion në Zojën Ndihmëtare, u bë apostull i Saj, së bashku me bijtë e bijat e veta, salezianët e salezianet, që për këtë arsye quhen Bijtë e Zojës Ndihmëtare. RealAudioMP3
Don Bosko vdiq më 31 janar 1888. U kanonizua nga papa Piu XI në vitin 1934.
Festa e tij u kremtua kudo që kryejnë misionin familjet saleziane, por kremtimet kryesore u mbajtën, si zakonisht, në Torino, ku zu fill Kongregata. Meshën e parë, kremtuar në orën 10.00, në Bazilikën e Zojës Ndihmëtare, në Valdoko, e kryesoi imzot Cesare Nosilia, kryeipeshkëv i Torinos. Ndërsa Meshën për të rinjtë, kremtuar në orën 18. 30, e kryesoi Rektori i Madh i Salezianëve, don Paskual Çavez Vilanueva, i cili u drejtoi të pranishmëve mesazhin e tij tradicional.
Por, a mbetet e gjallë zemra e mesazhit të Gjon Boskos edhe për të rinjtë e sotëm? Ja ç’mendon don Karlo Nani, Rektori i madh i Universitetit Papnor Salezian:
“Po, pa dyshim. Madje, ndoshta, edhe më shumë se dje: jemi përballë problemit të parandalimit, jo të ndrydhjes; të përpjekjes për t’u krijuar hapësirë talenteve, jo për t’i mbytur. Don Bosko thoshte se edhe i riu më i çthurur e ka në shpirt një skaj, ku ruhet dëshira për të bërë mirë. Besoj se breznia e të rriturve duhet ta ngulë mirë në kokë këtë bindje të Shenjtit. E, sidomos, në mënyrën si sillet me të rinjtë: nuk duhet t’i shikojë kurrë me sy negativ e pesimist. Don Bosko ka bërë shumë, shumë, për Italinë. Sivjet kremtojmë 150-vjetorin e bashkimit të Italisë: Don Bosko e bëri para D’Azelios, para Kavurit, duke i shndërruar njerëzit e përjashtuar nga shoqëria, protagonistë të realiteteve ku jetonin. Besoj se kjo është edhe pasuria që Dom Bosko na lë trashëgim ne, salezianëve e të gjithë atyre, të cilët shqetësohen për edukimin e rinisë, për problemet e saj, sot më urgjente se kurrë. E pikërisht sepse duhen edukuar qytetarë aktivë, që e dinë ç’do të thotë demokraci, që dinë ta kuptojnë e ta mbrojnë demokracinë, duke u krijuar njerëzve kushtetet e një jete, që meriton të jetohet".
Kujtojmë se familja saleziane është e pranishme në Shqipëri që në vitet ’30 e se rregulltarët u rikthyen menjëherë në vitin 1992, për të ngritur oratoret e tyre në Tiranë e në Shkodër, në sa vijojnë prej vitesh misionin në Prishtinë e në Podgoricë.
Kështu emri i Shenjtit në Shqipëri u bë përsëri shumë i njohur, sidomos në mes të të rinjve. Emrin Don Bosko e mbajnë dy rrugë, një në Tiranë e një tjetër në Shkodër.







All the contents on this site are copyrighted ©.