2011-01-31 18:31:50

Engjëlli i Tënzot: Papa lëshon pëllumbat e paqes dhe e fton botën t’ua hapë zemrën vlerave të Lumturive


(31.01.2011 RV)Kisha nuk ka frikë nga persekutimet, as nga presionet e një shoqërie, që i kushton vëmendje të dorës së parë mirëqenies materiale dhe i lë pas dore vlerat e shpirtit. Këtë pohoi dje Papa, duke komentuar, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Lumturitë ungjillore, propozuar nga liturgjia e së dielës.RealAudioMP3
Në përfundim të lutjes mariane, Benedikti XVI kujtoi Ditën Botërore të luftës kundër gërbulës dhe atë të lutjes për paqe në Tokën Shenjte. E më pas, Papa lëshoi nga dritarja e studios së tij, dy pëllumba, i shoqëruar nga dy fëmijë të Veprimit Katolik. Pëllumbat u rikthyen në studio, u lëshuan përsëri e, së fundi, njëri prej tyre rrahu flatrat drejt qiellit blu. Fluturim i vështirë, simbol i një paqeje, që tronditet në të katër anët, në botën tonë të shqetë.

Kur Jezusi e shndërroi malin në ‘katedër’, nuk e bëri për të propozuar një ideologji të re, por për t’i mësuar njerëzimit se pasuritë qiellore e shuajnë etjen e i thajnë lotët e atij që vuan, shumë më tepër sesa pasuritë e se ngushëllimet tokësore. Tek ky mësim u ndal Benedikti XVI, duke reflektuar për atë, që e quajti ‘fjalimi i madh” i Lumturive, i cili tingëllon gati-gati si Ungjill brenda Ungjillit. Mesazhi i Krishtit mbi mal, ku shpall të lum të braktisurit, i drejtohet mbarë botës, sot e në të ardhmen – pohoi Papa – e mund të kuptohet e të jetohet, vetëm duke ecur në gjurmët e Krishtit:
“Nuk është fjala për një ideologji të re, por për një mësim, i cili vjen nga lart, nga qielli e i drejtohet njeriut nga një Zot, që u mishërua, pikërisht për ta shpëtuar. (…) Lumturitë janë program i ri jete. E çlirojnë njeriun nga vlerat e rreme të botës e i tregojnë cilat janë pasuritë të vërteta, të sotme e të nesërme. Kur Zoti ngushëllon, kur shuan etjen për drejtësi, kur than lotët e të mjerëve, do të thotë se jo vetëm që e shpërblen secilin sipas veprave të veta, por i hap edhe rrugën drejt mbretërisë së qiejve”.
Duke marrë shtytje nga komenti i Lumturive në librin i tij “Jezusi i Nazaretit”, Benedikti XVI vërejti se kryqi e ringjallja e Krishtit, janë edhe kryqi e ringjallja e dishepujve. E kjo, sepse në jetën e dishepujve pasqyrohet plotësisht jeta e Birit të Zotit, i cili i lë kundërshtarët ta persekutojnë, ta poshtërojnë e deri ta dënojnë me vdekje, vetëm e vetëm që t’u dhurojë njerëzve shëlbimin. E është pikërisht kjo sjellje, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme mbi dymijë vjet historie të Kishës:
“Ungjilli i Lumturive komentohet lidhur me historinë e Kishës, histori e shenjtërisë së krishterë, sepse – siç shkruan Shën Pali – Hyji zgjodhi ata, që në sytë e botës janë të marrë, për t’i turpëruar të mençurit; ata, që janë të dobët, për t’i turpëruar të fortët; zgjodhi ata, që janë asgjë, për të asgjësuar kë mendon se është gjithçka. Prandaj Kisha nuk ka frikë nga varfëria, nga poshtërimet, nga persekutimet, në një shoqëri e cila shpesh tërhiqet vetëm nga mirëqenia materiale e nga pushteti i kësaj bote”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa hyri në dialog të drejtpërdrejtë me mijëra të rinj të Veprimit Katolik, që arritën në Sheshin e Shën Pjetrit, pasi kishin përshkuar rrugët e Romës, duke organizuar, kështu, Karvanin tradicional të paqes, kryesuar nga kardinali mëkëmbës, Agostino Valini. Benedikti XVI i përshëndeti të rinjtë me përzemërsi të madhe e pastaj ia dha mikrofonin një vajze, që u duk në dritaren e studios së tij, së bashku me një shok të vogël. Dy fëmijë, në të dy krahët e Atit të Shenjtë! Vajza, pasi e përshëndeti Benediktin XVI dhe e njoftoi për disa projekte solidariteti të Veprimit Katolik, bëri një thirrje prekëse për paqen në botë: në botën e vogël, të përditshme të secilit nga ne, e në botën e madhe, të trazuar, që shpesh ndikon tragjikisht mbi shpresat dhe mbi ëndrrat e miliona njerëzve:
“Kohët e fundit kemi dëgjuar mjaft lajme të këqija. Shumë njerëz vendosin të përdorin dhunën, për të imponuar idetë e tyre politike e fetare. E pra neve, sa herë grindemi me shokët, të mëdhenjtë na thonë gjithnjë se duhet të pajtohemi, se duhet të flasim me njëri-tjetrin, se duhet të shkojmë mirë. E sot ne duam t’ua përsërisim këto fjalë të gjithëve: duhet ta duam njeri-tjetrin si vëllezër, pavarësisht nga feja e kultura, së cilës i përkasim”.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi edhe Ditën Botërore të të gërbulurve, duke përshndetur shoqatën italiane “Miqtë e Raul Follerò”, e cila pikërisht këtë vit kremton 50-vjetorin e veprimtarisë. Pas lutjes për njerëzit, që vijojnë edhe sot e kësaj dite të vuajnë nga një sëmundje e tillë e tmerrshme, Ati i Shenjtë lëshoi pëllumbat, simbol i paqes, aq të kërkuar e aq të dëshiruar nga mbarë njerëzimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.