2011-01-31 17:09:33

Egjipti si Shqipëria në ’97-ën


(31.01.2010 RV)Revoltat e tensioni në Egjipt vazhdojnë. Njerëzit dolën sot sërish nëpër sheshe në Aleksandri, Suez dhe Porto Said. Krerët e protestave deklaruan grevë të përgjithshme, deri në një kohë të pacaktuar, pavarësisht nga qëndrimi më i butë i presidentit Hosni Mubarak ndaj opozitës. Pasi kompletoi skuadrën qeverisëse, Mubarak i kërkoi kryeministrit Shafik të kontaktojë opozitën për vënien në jetë të procesit demokratik, që kërkojnë masat. Por, partia e Vëllezërve Myslimanë e hodhi poshtë çdo përpjekje për dialog, duke u lidhur me forcat e ushtrisë, të vetmet, që i konsideron si bashkëbiseduese të besueshme. “Mubarak përsërit të njëjtat gjëra që prej 30 vjetësh”, thonë krerët e lëvizjeve popullore, të cilët kanë lajmëruar se nesër, në Kajro, do të zhvillohet një manifestim, me pjesëmarrjen e një milion personave. Ambasada amerikane i fton qytetarët e vet të largohen nga vendi. Në mes të njëmijë vështirësive edhe qytetarët e vendeve të tjera presin sot avionët e parë, që do t’i çojnë drejt atdheut. Bilanci i protestave është i rëndë: së paku 150 viktima. Në zona larg Kajros, si në Mars Alam, beduinët kanë hyrë në fshatrat turistike dhe plaçkisin e keqtrajtojnë personelin. Ashtu si në Shqipëri, në vitin 1997, janë hapur burgjet e të burgosurit janë shpërndarë gjithandej, megjithëse forcat e rendit kanë njoftuar se janë arrestuar sërish mëse 4 mijë vetë.
Radio Vatikani është lidhur telefonikisht me egjiptianë, që i përjetojnë personalisht ngjarjet. Të dëgjojmë Hebën, një e re që punon në Kajro, por jeton në Aleksandri:RealAudioMP3

Po fillojmë të alarmohemi seriozisht, sepse mungon siguria. Në çdo lagje lindin komitete të vogla civile për mbikqyrjen. Ka dialog e bashkëpunim me ushtrinë e kjo është një risi. Ndërsa policia është zhdukur! E kur nuk u duk më, filluan dhuna e plaçkitjet. Unë mendoj se këtu ka një plan të menduar mirë, sepse kjo dhunë nuk është thjesht vepër e banditëve. Logjika e tyre nuk çon në sulme kundër spitaleve, apo kundër ndërmarrjes së ujit. Duket qartë se qëllimi është përhapja e kaosit. Pyesim se ku janë zhdukur të gjithë agjentët dhe policët e Ministrisë së Brendshme: nga çdo rrugë, nga çdo zonë… Vërtet, nuk është logjike…

Bashkimi Evropian mbështet tranzicionin demokratik të Egjiptit, pa ndërhyrë në vendimet e popullit, i cili duhet të shprehet përmes zgjedhjeve të lira. Ndërkaq, Izraeli i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të përkrahë presidentin Mubarak, për hir të rolit të rëndësishëm të Egjiptit në Lindjen e Mesme. Në krye të protestave po përpiqet të dalë ish-drejtori i Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, El Baradei. Ç’të ardhme ka përpara Egjipti? Të dëgjojmë mendimin e ekspertit italian për çështjet ndërkombëtare, Erik Salerno:

Nëse El Baradei do të arrijë të qeverisë vendin, sigurisht do të ketë një rol shumë të ekuilibruar në rajon, ndoshta edhe më të ekuilibruar e më të vlerësuar se presidenti Mubarak. Problemi i El Baradeit është të arrijë në krye të një vendi, ku forca politike më e madhe është sigurisht ajo e Vëllezërve Myslimanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.