2011-01-29 16:27:26

Papa dhe interneti, ndërmjet risive, të vërtetave e “profileve të rreme”: koment i atë Antonio Spadaros


Në Mesazhin për Ditën e 45-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, paraqitur javën e kaluar, Papa i këshillon të krishterët të hyjnë në internet me besim e krijimtari. Tema e mesazhit “E vërteta, kumtimi dhe autenticiteti i jetës në epokën dixhitale” flet për faktin se Kisha Katolike dhe Papa e konsiderojnë tashmë internetin pjesë përbërëse të jetës së njeriut. Në dokument, Benedikti XVI nënvizon se po lind një mënyrë e re për të mësuar e menduar, me mundësi të papara për t’u lidhur me njëri-tjetrin. I kërkuam një koment, jezuitit atë Antonio Spadaro, i revistës “Qytetërimi Katolik”:RealAudioMP3
Në veçanti, Papa vëren se në epokën e rrjeteve me karakter shoqëror – Fejsbuk, Tuiter, Jutub e kështu me radhë – njeriu merr pjesë gjithnjë e më drejtpërdrejt, me materialin që komunikon. Prandaj, ai i fton të gjithë besimtarët drejt vërtetësisë së jetës. Papa shkruan se kur njerëzit shkëmbejnë informacion, në të vërtetë bashkëndajnë shumë më tepër se informacionin e thjeshtë: ndajnë me të tjerët vetveten, këndvështrimin e tyre mbi botën, shpresat, idealet. Të krishterët në internet nuk duhet të bëhen mësues të fesë, por ta dëshmojnë me përzgjedhjet që bëjnë, me preferencat, me gjykimet, edhe kur nuk flitet shprehimisht për Ungjillin.
Në Mesazh, Benedikti XVI shkruan se “rrjeti është pjesë përbërëse e jetës njerëzore”. Çfarë do të thotë ky pohim?
Do të thotë se sfida e vërtetë e Kishës nuk është të dijë ta përdorë internetin – siç besohet shpesh – por të jetojë si duhet në epokën e internetit. Ta konsiderojë atë si diçka thelbësore, si një nga fushat e jetës. Sipas meje, në mesazh, Papa thotë një gjë shumë të rëndësishme: “Nëse përdoren me urti, teknologjitë e reja të komunikimit mund të kontribuojnë për t’iu përgjigjur dëshirës për t’i dhënë kuptim jetës, dëshirës për të vërtetën e për bashkimin, që mbetet aspirata më e thellë e njeriut”. Ky mendim është jashtëzakonisht i ri.
Këto koncepte të thëna nga Papa, duket sikur e hedhin poshtë paragjykimin negativ, që e konsideron internetin si një botë virtuale, paralele me realen e shpesh, të rrezikshëm…
Ashtu është, sepse fjala e Papës i hedh poshtë paragjykimet dhe shtron për zgjidhje çështje më serioze. Duke iu referuar edhe një herë dëshmisë – që në këtë mesazh më duket qëndrore – dëshmia e krishterë nuk duhet të pranojë kurrë logjikën konsumiste apo atë të popullaritetit, të konsensusit në internet. Ungjilli nuk mund të ulet në këtë nivel. Papa u referohet dishepujve të Emausit. Pra është logjika e takimit, e ndërmjetësimit, edhe e heshtjes, ajo që duhet të karakterizojë praninë e të krishterëve në rrjet.
Pra, tekonologjitë e reja mund ta ndryshojnë edhe mënyrën e komunikimit e madje edhe mënyrën si e mendojmë fenë?
Po, interneti, rrjeti, tekonologjitë e komunikimit bëjnë pjesë në jetën e përditshme të shumë njerëzve. Prandaj kontribuojnë gjithnjë e më shumë në formimin e identitetit fetar të bashkëkohësve tanë. Rrjeti, kultura e hapësirës kibernetike sfidojnë aftësitë tona më të përgjithshme për të formuluar dhe për të dëgjuar një gjuhë simbolike, e cila flet për transhendencë. Sigurisht, kultura e rrjetit takohet dhe ndikon në mënyrën si e mendojmë dhe e jetojmë fenë.







All the contents on this site are copyrighted ©.