2011-01-29 14:57:16

Liturgjia e Fjalës e së Dielës së 4-t të Kohës gjatë Vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 4-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik. Në këtë të diele të katërt të kohës liturgjike gjatë vitit kishtar, Liturgjia e Fjalës Hyjnore na paraqet Ungjillin e Lumnive. Në pjesën ungjillore marr nga shën Mateu, Jezusi duke parë turmën, ngjitet në mal dhe me Apostujt përreth, u flet njerëzve, duke përcaktuar të gjitha lumnitë e Mbretërisë së Hyjit:
“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!
Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!...”
Në veprën e tij “Jezusi i Nazaretit”, Papa Benedikti XVI i kushton një kapitull të tërë (të katërtin) pikërisht predikimit të Jezusit në Mal e më shumë se gjysma është për lumnitë. Çelësi interpretues i Atit të Shenjtë na kërkon që t’i kthejmë sytë nga Krishti. “Lumnitë – shkruan Papa – janë një biografi e fshehtë, e brendshme e Krishtit, si një portret i figurës së tij”. “Tek Lumnitë – shkruan akoma – bëhet i dukshëm misteri i vetë Krishtit dhe ato na thërrasin të bashkohemi me Të”. E më pas, në profilin e shenjtërisë së jetuar nga Shën Françesku i Asizit, Papa na tregon një shembull të jetuar të vargut të Lumnive, që përmend Krishti. Benedikti XVI thotë se kur shën Françesku gjeti Krishtin u varfërua nga gjithçka tjetër. Kaq shumë e kishte pasuruar Jezusi. Vetëm në këtë rrugë që tregon Predikimi i Malit – përfundon Papa – gjejmë pasurinë e jetës, madhështinë e thirrjes njerëzore.

Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu...

Leximi i parë (Sof 2, 3; 3, 12-13)

Profeti Sofonia jeton në një komb që pothuajse është shkatërruar plotësisht dhe sheh në të varfërit, në të përvuajturit mundësinë për të kërkuar Zotin, për t’iu shmangur gjykimit të Zotit dhe për të vazhduar nëpërmjet besimit të tyre veprën e shpëtimit të Hyjit..

Lexim prej Librit të Sofonisë profet

Kërkojeni Zotin, të gjithë ju, të përvuajturit e tokës, ju që i kryeni urdhërimet e tij! Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë, që disi të mund të fshiheni Ditën e felgrimit të Zotit! Do të bëj në mjedisin tënd të qëndrojë populli i përvuajtur e i varfër! Në emër të Zotit do të kërkojë strehim Teprica e Izraelit.
Paudhësi nuk do të bëjnë më, rrena më nuk do të thonë, në gojë të tyre s’do të gjendet më gjuhë gënjyese! Por do të kullosin e do të mrizojnë pa pasur kush t’i shqetësojë!”

Fjala e Zotit

Psalmi 146 (145)

Ref:
Lum skamnorët në shpirt.
_________________

Zoti e mban besnikërinë për amshim,
Ai u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqimin të uriturve.
Zoti i çliron robërit,
_____________

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët,
_____________

U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion,
nga breznia në brezni.
_________________


Leximi i dytë (1 Kor 1, 26-31)

Hyji ka treguar fuqinë e tij dhe dijen e tij duke shpëtuar ata që besojnë, me një mjet kaq të brishtë që anjë i ditur i kësaj bote s’do ta kishte menduar të aftë për të shpëtuar: Kryqi i Jezusit.
Tani ky realitet është i dukshëm në jetën e të krishterëve. Pjesa më e madhe e tyre janë njerëz që nuk kanë ndikim në shoqëri e megjithatë Hyji i ka bërë dëshmitarë të shpëtimit të tij.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, pleqëroni kush jeni ju që e morët thirrjen e Hyjit? S’ka ndër ju shumë të dijshëm për sy të njerëzve, as shumë të fuqishëm, as shumë bujarë! Por, Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit dhe të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, për t’i turpëruar të fortët; dhe jo bujarët e botës e të përbuzurit i zgjodhi Hyji, mu edhe ata që nuk janë, që t’i asgjësojë ata që janë, në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit. Po, Ai bëri “që ju të jeni” në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne dije që vjen prej Hyjit, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim, siç thotë Shkrimi i shenjtë: ‘Kush mburret, le të mburret në Zotin.’

Fjala e Zotit

ALELUJA,
Aleluja.
Gëzohuni e galdoni,
sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!
Aleluja.

V Ungjilli (Mt 5, 1-12)

Lumturia që premtohet këtu i përket mbi të gjitha atij që i druhet Zotit. Ajo u premtohet nga Jezusi kategorive të ndryshme personash e mbi të gjitha të varfërve në shpirt.
Këtyre personave që nuk kanë rëndësi para njerëzve, por vënë besimin e tyre në Zotin, u është dhuruar lumturia.
Mund ta jetojnë lumturinë e Krishtit Jezus ata që pranojnë Jezusin në jetën e tyre dhe vënë në jetë fjalën e tij.
Lumturitë janë dokumenti më i rëndësishëm i Ungjillit: tregojnë rrugën e re për të arritur shpëtimin.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!
Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!
Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!
Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë!
Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.
Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit.
Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”.

Fjala e Zotit

Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.