2011-01-29 16:26:03

Kundër kujt protestojnë shqiptarët?


Ajo që po ndodh këto ditë në Shqipëri, pas viktimave të protestës së 21 janarit dhe pas protestës paqësore të së premtes së kaluar, me gjithë debatin politik e tensionin e lartë që pasoi, i ka ndarë shqiptarët më dysh. Ka nga ata, që mendojnë se ngjarjet e fundit janë rezultati i veprimtarisë së dy njerëzve: Sali Berishës dhe Edi Ramës. Për ta, Shqipëria do të rifillojë të marrë frymë pasi të largohen këta të dy nga pushteti. Por, për një grup tjetër njerëzish, këta të dy janë shprehje e një të keqeje më të madhe, që ka hyrë nëpër rrugët e nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe u kushtëzon mënyrën e të menduarit e të të jetuarit. Këta të dytët mendojnë se vendi do të shpëtojë vetëm kur lufta kundër kësaj së keqeje të ketë sukses dhe rrjedhimisht të mos pranojë në karriget e politikës figura jo të denja për emrin politikan.
Kisha Katolike i ndoqi me shqetësim skenat e dhunës, që sollën vdekjen e tre personave dhe tronditjen e tërë popullit, prandaj u bëri thirrje atyre që kanë në dorë fatin e vendit të lënë mënjanë ambiciet politike e të vihen në shërbim të shqiptarëve, me vullnetin e mirë për të bashkëpunuar për realizimin e aspiratave qytetare për paqe, mirëqënie dhe dinjitet. Gjithashtu, iu drejtua qytetarëve të Shqipërisë me thirrjen për të mos rënë pre e lojrave politike, që përdorin dhunën, por t’u japin një mesazh të qartë politikanëve për të shkruar një faqe të re në historinë e Shqipërisë, ku pajtimi mbarëkombëtar të fitojë mbi përçarjet dhe urrejtjet politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.