2011-01-28 17:23:58

Papa Komisionit për dialogun e katolikëve me ortodoksët lindorë: të vijojmë krah për krah rrugën drejt bashkimit të plotë.


(28.01.2011 RV)Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë pjesëmarrësit në takimin e Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore. Papa i nxiti besimtarët katolikë e ortodoksë ta thellojnë njohjen reciproke, për të ecur, kështu, të sigurt, drejt bashkimit të plotë. Më pas kujtoi të krishterët e shumtë, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk mund ta dëshmojnë besnikërinë e tyre ndaj Krishtit, pa përballuar vështirësi e persekutime të të gjitha natyrave.RealAudioMP3

Të krishterët duhet të punojnë së bashku me besim reciprok, për t’i shërbyer kauzës së paqes e të drejtësisë: këtë theksoi Papa në takimin e sotëm me anëtarët e Komisionit për Dialogun Teologjik të Kishës Katolike me Kishat Ortodokse Lindore. Benedikti XVI kujtoi rëndësinë e dialogut të filluar nga organizmi, me temë “Natyra, struktura dhe misioni i Kishës”. Dokumenti përfundimtar i takimit – vërejti Papa – theksoi aspektet themelore të përbashkëta të ekleziologjisë e njëkohësisht përcaktoi edhe temat, që duhen thelluar më shumë në fazat e ardhshme të dialogut:
“We can only be grateful that after almost fifteen hundred…”
Nuk mund të mos shprehim mirënjohjen tonë – tha Papa – që pas 15 shekuj përçarjesh, jemi njëmendjeje për natyrën sakramentore të Kishës, për vazhdimësinë e saj apostolike e sidomos, për domosdoshmërinë e dëshmimit të Ungjillit të Jezu Krishtit në botë. Kujtoi, kështu, edhe argumentet e fazës së dytë të punimeve të Komisionit e, në mënyrë të posaçme, të takimit, që u zhvillua gjatë kësaj jave, me temë: “Bashkimi ndërmjet Kishave në shekujt e parë dhe roli i monakizmit në jetën e Kishës”.
“We must be confident that your theological reflection…”
Kemi besim – shtoi Papa - se reflektimi juaj teologjik do t’i ndihmojë Kishat tona ta njohin më thellësisht njëra-tjetrën, por edhe të ecin me bindje në udhën drejt bashkimit të plotë, për të cilin vijon të na ftojë Jezu Krishti. Pikërisht për këtë bashkim – kujtoi Ati i Shenjtë – i lartuam Zotit uratën tonë gjatë Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, që sapo përfundoi.
Më pas Benedikti XVI kujtoi edhe se në zona të ndryshme të botës, bashkësive të krishtera u duhet të përballojnë prova e vëshirësi të panumërta. E situata të tilla nuk mund të mos jenë burim shqetësimi të thellë për të gjitha bashkësitë e krishtera të botës, e sidomos, për vetë Papën:
“May the intercession and example of the many martyrs…”Në përfundim Benedikti XVI, duke iu drejtuar përfaqësuesve të të dyja Kishave, uroi që ndërmjetësia dhe shembulli i martirëve të shumtë, të cilët dhanë dëshmi të guximshme për Krishtin në të gjitha Kishat e krishtera, t’i forcojë ata e bashkësitë e tyre.









All the contents on this site are copyrighted ©.