Kultura evropiane, në qendër të takimit II të Ciklit të leximeve teologjike, që vijojnë
në Lateran, në Romë.
(28.01.2011 RV)“Kultura evropiane: origjina e perspektivat”. Kjo ishte tema
e takimit II të ciklit të leximeve teologjike mbi fjalimet e mëdha të Papës Benedikti
XVI, kushtuar fjalimit mbajtur në Kolegjin de Bernardë, në Paris, më 12 shtator 2008. Gjatë këtij fjalimi,
Papa u nis nga reflektimi mbi jetën murgare, për të nënvizuar se murgjërit, duke zgjedhur
rrugën e dëgjimit të fjalës së Zotit, arritën tek kultura e fjalës, depërtuan në të
fshehtat e gjuhës, të cilën arritën ta kuptojnë në thellësitë e ndërtimit të saj.
Prandaj u bënë të rëndësishme shkencat laike, që kishin për qëllim të hynin në të
fshehtat e gjuhëve. Gjithnjë në kërkim të Zotit, murgjërit e manastireve, zhvilluan
erudicionin e vërtetë, kulturën e vërtetë, që formoi, pastaj, kulturën tonë. Pikërisht
për këtë, quaerere Deum, kërkimi i Hyjit, qenia gjithnjë për udhë drejt Zotit, mbetet
edhe sot, ashtu si dje, rruga kryesore e themeli i çdo kulture. Fjalimi i madh
kushtuar kulturës, që Papa e mbajti në Kolezhë de Bernardë, krijoi qartë pështypjen
se biseda mbi rrënjët e krishtera, mbi të cilën papët kanë ngulmuar aq shumë, nuk
është sllogan, por diskutim me përmbajtje të pasur e të saktë. Papa i bëri të gjithë
të shikojnë qartë se pikërisht duke u nisur nga kërkimi i Zotit, duke u nisur nga
jeta rregulltare, zhvillohen shumë përmasa të kulturës: përmasa e letërsisë, e arteve,
e muzikës, e shpjegimit të teksteve, e veprimtarisë, e zellit për punë praktike, përmasa
këto absolutisht themelore të kulturës sonë evropiane. Prandaj mund të themi se Kisha,
seli e krishterë, ndjehet e pranishme në thellësi të kulturës sonë e dëshiron të jetë
edhe në të ardhmen. Por të dëgjojmë imzot Sergio Lancën, asistent kishtar
pranë Universitetit katolik të Zemrës së Krishtit: “Kërkimi i Zotit është
qëllimi i monakizmit të vërtetë. E ky kërkim i Zotit bëhet menjëherë edhe kërkim i
rrugëve, që të çojnë tek Zoti. E ja se në këtë kërkim na ndihmon Fjala e atëherë kërkimi
i Fjalës së Zotit e i kuptimeve të saj, gërshtohen. “L’amour de l’ être” e “l’amour
de Dieu” bashkohen në një udhë të vetme, në udhën ku feja e arsyeja takohen”.