2011-01-28 17:25:08

Kardinali Groholevski në Manilë, për të kremtuar 400-vjetorin e Universitetit Papnor të Shën Tomës, më i vjetri në Azi.


(28.01.2011 RV)Më i vjetri universitet, që vijon veprimtarinë e tij në Azi, feston 400-vjetorin e ditëlindjes, në festën e pajtorit të vet, Shën Tomës së Akuinit. I pranishëm në Manilë, i dërguari i Papës, kardinali Zenon Groholevski, prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik.
Universiteti lindi falë veprimtarisë së palodhur të ipeshkvit domenikan, atë Miguel de Benavides (1552-1605), i treti kryeipeshkëv i Manilës, që shkriu gjithë ç’kishte për themelimin e një Kolegji, ku do të mund të përgatiteshin meshtarët e ardhshëm. I dhuroi këtij institucioni në fasha edhe bibliotekën e tij jashtëzakonisht të pasur. Kolegji i hapi zyrtarisht dyert më 28 prill 1611. Në fillim u quajt “Kolegji i Zojës Rruzare”, por më pas mori emrin e Shën Tomës, për nder të Akuinasit. Nisi, kështu, përgatitjen e seminaristëve, duke gëzuar edhe të drejtën të jepte tituj akademikë në teologji e filozofi.
U ndoq me dashamirësi të madhe nga papët. Më 1902 Leoni XIII i dha titullin ‘Universitet papnor”; ndërsa Piu XII, më 1947, titullin “Universiteti katolik i Filipineve”. Për shkak të rritjes së vazhdueshme të popullsisë, Universiteti u zhvendos në selinë e sotme, në Lagjen Sampalok, ku zë një hapësirë prej 21 hektarësh.
Ndërmjet projekteve të 400-vjetorit, kujtojmë ngritjen e dy universiteteve të tjera: në Santa Roza, provinca e Lagunës dhe në General Santos City, provincë e Katabatos së Jugut.








All the contents on this site are copyrighted ©.