2011-01-28 17:23:44

Faqja e kalendarit: Shën Toma


(28.01.2011 RV)Sot Kisha katolike përkujtoi një nga figurat e saj vigane: Shën Tomën e Aquinit, i pari nga tre shenjtorët me të njëjtin emër, që kujtohen nga Kalendari Liturgjik. Dy të tjerët janë Shën Toma Apostull, që kremtohet me 2 korrik, dhe Shën Toma Beket, më 29 dhjetor.Toma i Aquinit lindi më 1225 në Rokaseka, pranë Montekasinos, në Itali. Që fëmijë, u shqua për mençuri të pabesueshme e për jetë engjëllore. Nuk i kishte mbushur akoma 20 vjetët, kur vendosi të hynte ndër domenikanë. Familja e tij fisnike iu kundërvu kësaj zgjedhjeje, por djaloshi fitoi. Nisi studimet në Romë, i vijoi në Paris e në Këln. Ende në moshë krejt të re, u emërua profesor në Universitetin e Parisit. Ndërsa kryeveprën e tij "Summa Theologiae" (Përmbledhje e teologjisë) nisi ta shkruante në Itali, duke ua kushtuar studentëve të tij të rinj. E vijoi në Paris dhe e la pa përfunduar në Napoli, ku punoi pjesën e tretë e të fundit, ndërmjet viteve 1272 e 1273. Vdiq nji vit më vonë, më 7 mars 1274, në një qelí murgare pranë abacisë së Fosanovës, jo larg nga vendi ku kishte lindur, në sa ishte për udhë drejt Konçilit të Lionit.

Papa Benedikti XVI i ka kushtuar Shenjtit audiencën e 6 qershorit 2010. Gjatë katekizmit, pasi kujtoi çastet kryesore të jetës së Tij, ndërmjet të cilave, zgjedhja e rrugës rregulltare domenikane, Papa shpjegoi se Toma, që i ri, u shqua për shpjegimin e filozofisë aristotelike. Kompleksi universal i njohurive të tij, një herë i panjohur e më pas i zbuluar, u pranua me entuziazëm e pa kritikë nga disa, por edhe u kundërshtua fuqimisht nga të tjerë, që druheshin se ishte në kundërshtim me fenë katolike:
“Toma i Akuinit, sipas shkollës së Albertit të Madh, kreu një veprimtari me rëndësi themelore për historinë e filozofisë e të teologjisë, madje mund të themi edhe për historinë e kulturës: studioi me fund Aristotelin dhe komentuesit e tij (…) duke dalluar ç’ishte me vlerë, nga ajo që ishte e dyshimtë, ose për t’u refuzuar plotësisht, duke treguar përkimet me të dhënat e Zbulesës së krishterë e duke përdorur gjërësisht e thellësisht mendimin aristotelik në shkrimet e tij teologjike. Si përfundim, Toma i Akuinit tregoi se ndërmjet fesë së krishterë e arsyes ekziston një harmoni e natyrshme”.









All the contents on this site are copyrighted ©.