2011-01-27 11:23:40

SHBA: në Uashington, pjesëmarrje masive në marshimin për jetën


(27.01.2011 RV)Qindra mijëra njerëz u mblodhën të hënën e kaluar në “National Mall” të Uashingtonit, me rastin e Marshimit tradicional në mbrojtje të jetës, për të shprehur qëndrimin e tyre në mbrojtje të të drejtave të fëmijës ende të palindur për të jetuar. Në takimin e sivjetëm, që përkujtoi 38-vjetorin e vendimit të Gjykatës së Lartë për çështjen “Roe kundër Wade”, morën pjesë masivisht sidomos të rinjtë, falë përhapjes së lajmit përmes internetit.
Marshimit i parapriu një Meshë, kremtuar në shenjtëroren e Zojës së Papërlyer, me të cilën u hap lutja kombëtare për jetën.
Kremtimin e kryesoi kardinali Daniel DiNardo, kryeipeshkëv i Galveston-Houston e kryetar i komisionit ipeshkvnor për mbrojtjen e jetës. Prelati i lartë i nxiti besimtarët e shumtë, e posaçërisht të rinjtë, ardhur nga të katër anët e SHBA, t’i mbrojnë të drejtat njerëzore të fëmijëve, që nuk kanë dalë ende në dritë e që, prandaj, nuk janë në gjendje t’i mbrojnë vetë këto të drejta të pakundërshtueshme. Bëhuni prijës e pionierë të këtij marshimi për mbrojtjen e jetës, u tha kardinali të rinjve, duke i ftuar t’i kundërvihen abortit, me bindjen se një sjellje e tillë nuk do të kalojë pa u vënë re nga ata, që e praktikojnë krimin e rëndë, vrasjen e fëmijës së palindur.







All the contents on this site are copyrighted ©.