2011-01-27 11:23:18

Këshilli i Evropës: propozohet një Ditë evropiane për martirët e krishterë të kohëve tona.


(27.01.2011 RV)Një Ditë evropiane, kushtuar martirëve të krishterë, për t’u kujtuar të gjithëve shumë e shumë të krishterë të mbytur për shkak të urrejtjes kundër fesë e kundër Kishës. E propozoi sociologu italian, Massimo Introvigne, përfaqësues i Organizatës për Sigurim e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke kujtuar se u duhet shpallur luftë intolerancës dhe diskriminimit kundër të krishterëve. Propozimi u bë dje, gjatë një takimi të Këshillit të Evropës të Strasburgut, ku u diskutua rreth temës “Ç’përgjigje jep Evropa, përballë persekutimit të të krishterëve lindorë”.
Në takimin, organizuar nga qendra evropiane për të Drejtën e Drejtësinë (Eclj), morën pjesë edhe imzot Antuen Audo, ipeshkëv katolik i ritit kalde të Alepit (Siri) dhe atë Emanuel Jukahana, administrator apostolik i Kishës Asire të Lindjes. Shumkush nuk e ka ende të qartë ç’do të thotë intolerancë e persekutim kundër të krishterëve. Tre të katërtat e persekutimeve të sotme në botë, drejtohen kundër të krishterëve. Janë bashkësia më e munduar, po këtë shumkush nuk e di – nënvizoi Introvigne – e më pas kujtoi ngjarjen e madhe ekumenike, organizuar nga Gjon Pali II në Koloseum, më 7 maj të vitit 2000, me tetë stacione të Udhës së Kryqit. Ishin simbol i grupeve kryesore të martirëve të krishterë të kohëve tona: viktima të totalitarizmit sovjetik, të komunizmit në vende të tjera, të nazizmit, të ultra fanatikëve islamikë, të nacionalizmave fetare të dhunshme në Azi, të urrejtjes fisnore e antimisionare, të laicizmit agresiv e të kriminalitetit të organizuar.
Pikërisht 7 maji, në kujtim të kësaj ngjarjeje të madhe – vijoi Introvigne – mund të ishte data e përshtatshme për Ditën e kujtimit të martirëve të krishterë. Suksesi që pati Dita e Kujtesës për luftë kundër antisemitizmit, edhe në shkolla, na kujton, natyrisht jo për të bërë konkurencë, se duhet propozuar një mjet analog, në kujtim të shumë martirëve – fjalë që ka kuptimin e dëshmitarëve - të persekutimit e të intolerancës kundër të krishterëve.
Kjo ditë, vijoi përfaqësuesi i OSBE-së për luftën kundër kristianofobisë, mund të jetë rast që çdo vit të bëhet një rrëmim kolektiv i ndërgjegjes. Njëkohësisht do ta nxiste Evropën të mos e harrojë detyrën për mbrojtjen e pakicave të krishtera në vende të ndryshme. Introvigne kujtoi, në përfundim, thirrjen e Gjon Palit II në Koloseum, më 7 majin e vitit 2000, drejtuar shekullit të ri, të XXI-it, që po lindte: “Të mbetet i gjallë në shekuj e në mijëvjeçarin e sapofilluar, kujtimi i këtyre vëllezërve e motrave tona. Madje të mbahet gjithnjë i freskët. Të përcillet nga breznia në brezni, që të ndikojë në përtëritjen e të gjithë njerëzve”.
Kremtimi i një Dite Evropiane të Martirëve të Krishterë, përfundoi sociologu, do të ishte përgjigjja më e bukur, që do të mund t’i jepej thirrjes, gjithnjë aktuale, të Gjon Palit II.







All the contents on this site are copyrighted ©.