2011-01-26 16:33:46

Revoltë në Egjipt. Kush fshihet pas protestës


(26.01.2011 RV)Pas Tunizisë dhe Algjerisë, edhe Egjipti në protestë. Njerëzit, të lodhur nga 30 vjetët e pushtetit të presidentit aktual Hosni Mubarak, kërkojnë ndryshime, të pakënaqur nga kriza ekonomike, që në botën arabe ndihet edhe më shumë se në Perëndim. Në manifestimet e djeshme humbën jetën katër vetë, ndërsa sot, qeveria ndaloi protestat dhe nuk lejoi lidhjen me internet në FACEBOOK dhe TWITTER, dy rrjete shoqërore, me anë të të cilave bëhej organizimi. Pavarësisht nga kjo dhe nga arrestimi i 500 vetëve, opozita ka deklaruar se manifestimet do të vazhojnë.
Duket sikur vendet e Mesdheut po shpërthejnë njëra pas tjetrës. Fillimisht Tunizia, pastaj Algjeria e tani Egjipti. Për ngjashmëritë ndërmjet këtyre protestave, të dëgjojmë gazetarin Adib Fateh Alì, ekspert i çështjeve arabe:RealAudioMP3
Këtu kemi një protestë me karakter shoqëror, kundër shtrenjtësisë së jetesës dhe papunësisë, megjithëse pas kësaj fshihen probleme politike. Në ndryshim nga protesta spontane e Tunizisë, me të cilën populli sheh drejt Evropës për një vend më demokratik, në Egjipt kemi praninë e fondamentalistëve, që pa dyshim do t’i shfrytëzojnë manifestimet. Ata janë të pakënaqur nga një qeveri, që bën paqe me Izraelin e që mban qëndrim kundër Hamasit me embargo…
Pra, në fushën ndërkombëtare, Egjipti ka një vend shumë delikat. Në këtë çast, a mund t’i kthejë sytë Perëndimi nga El Baradei?
El Baradei, ish-drejtor i përgjithshëm i Agjensisë ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Vienë, premton të kandidohet në zgjedhjet presidenciale e me të mund të shkojë një pjesë e protestuesve. Rreziku më i madh vjen nga lëvizja e Vëllezërve Myslimanë. Karta e El Baradeit, sipas meje, vështirë të ketë sukses shpejt. Egjipti është vend themelor për ekulibrin strategjik në Lindjen e Mesme. Popullsia e atij vendi është një e treta e krejt popullsisë arabe, prandaj ç’ndodh në Egjipt ndikon jashtëzakonisht në ekuilibrin e krejt rajonit.
Pra, El Baradei, jo! A ka mundësi që t’u jepet një përgjigje e shpejtë manifestuesve, duke bërë reformat ekonomike ose shoqërore?
Kërkesat janë sa për sy e faqe. Reformat kryesore, që kërkojnë janë ato demokratike dhe ndryshimi i Kushtetutës. Sipas meje, jemi në fillim të një procesi transformues, që uroj të marrë rrugën drejt demokracisë e jo drejt fondamentalizmit islamik.







All the contents on this site are copyrighted ©.