2011-01-26 15:24:06

Qeveria e Tiranës mbështet një hetim të plotë mbi ngjarjet e 21 janarit


Kryeministri Shqipërisë Sali Berisha siguroi sot Drejtorin Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së Miroslav Lajcák, i cili është i dërguari i Bashkimit Evropian për të diskutuar me faktorët politikë shqiptarë mbi situatën e krijuar si pasojë e protestave të dhunshme dhe përpjekjeve për përmbysjen e rendit kushtetues dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike," se qeveria shqiptare mbështet një hetim të plotë, objektiv, profesional, e mbi të gjitha të paanshëm të ngjarjeve."
Zyra e shtypit pranë kryeministrisë, bëri të ditur se kryeministri Berisha i paraqiti zotit Lajcák një ekspoze të ngjarjeve që çuan në përpjekjen e dhunshme të 21 janarit dhe mbi pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me situatën.
Duke shprehur falënderimin për mbështetjen dhe interesin për hetimin, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Lajcák se qeveria shqiptare mbështet një hetim të plotë, objektiv, profesional, e mbi të gjitha të paanshëm të ngjarjeve, thuhet ne deklaratën zyrtare te Kryeministrisë.
Kryeministri siguroi gjithashtu për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend, përkarshi çdo tentative për shkeljen e tyre, deklarohet me tej.
Sipas tyre, z. Lajcák i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian duke theksuar së ajo e konsideron qeverinë Berisha si partner dhe qeveri legjitime të Shqipërisë si dhe vlerësoi si një akt përgjegjësie të lartë nga ana e kryeministrit vendimin për mos mbajtjen e manifestimit të ditës së shtunë duke theksuar se ky qëndrim duhet të ndiqet edhe nga opozita.
"Zoti Lajcák u shpreh se BE kërkon nga palët, shmangien e organizimit të protestave për të evituar përshkallëzimin e akteve të dhunshme kundër institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor", thuhet ne deklaratën zyrtare të Kryeministrisë.
Gjithashtu bëhet e ditur se Lajcak ka theksuar se "BE kërkon nga të gjitha palët rivendosjen e dialogut politik në Parlament për të vijuar ecjen përpara me agjendën e integrimit evropian veçanërisht atë të statusit të vendit kandidat dhe përqendrimin të gjitha energjive në përgatitjen për zgjedhjeve lokale të 8 Majit".( nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.