2011-01-26 12:53:36

Papa: Zhana D’Ark shembull për laikët e impenjuar në politikë


Zhana d’Ark, shenjtorja e djegur mbi turrën e druve në moshën 19 vjeçare nga dënimi i “njerëzve të kishës e teologëve që nuk qenë të aftë të shihnin bukurinë e shpirtit të saj” u citua nga Papa si “shembull për besimtarët laikë të angazhuar në jetën politike, sidomos në situatat më të vështira”. Në këtë kuptim Benedikti XVI fton të lexohet impenjimi i Zhanës D’Ark “për lirimin e popullit të saj, kuptuar e konsideruar si vepër e drejtësisë njerëzore që realizohet përmes bamirësisë”.
Për Zhanën D’Ark, siç do të jetë “një shekull më vonë për një tjetër shenjtë të madh, Tomas Murë”, argumentoi Papa Racinger gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme mbajtur në sallën Pali VI në Vatikan para 4000 besimtarëve e shtegtarëve nga mbarë bota, “feja është dritë që shndrit çdo vendim e përcaktim” dhe në “Jezusin kundron tërë realitetin e Kishës, si atë ngadhënjyes në qiell e po edhe atë që shtegton mbi tokë”.
“Shumë e fort dhe e vendosur, vetëm 17 vjeç – nënvizoi Benedikti XVI – Zhana D’Ark arriti ti bindte njerëzit e pasigurt e të demoralizuar, të takonte jo pa vështirësi trashëgimtarin e mbretit të Francës Karlin VII e të kalonte provimet e teologëve të universitetit”, e ajo nuk dinte të lexonte e as të shkruante. Impenjimi i shenjtës franceze për “lirimin e popullit të saj” theksoi Papa, qe vendosur prej saj 13 vjet pas thirrjes që mori “përmes zërit të kryengjëllit Mihill, që e thërriste personalisht e atë pikërisht për këtë qëllim”.
Ati i Shenjtë Benedikti XVI u tregoi besimtarëve historinë e Zhana D’Ark, e djegur në turrën e druve në moshën 19 vjeçare, në vitin 1431, pas një procesi një dënimi shpall nga “dy klerikë të Kishës, një ipeshkëv inkuizitor”, “mirëpo në realitet qenë të udhëhequr nga një grup i madh i teologëve të universitetit të Parisit, përcaktimi politik i të cilëve ishte i kundërt me atë të Zhanës D’Ark e të cilët formuluan paraprakisht gjykimin negativ ndaj personit të saj e misionit të saj”. Gjykatësin e Zhana D’Ark qenë të paaftë të vështronin e zbulonin bukurinë e shpirtit të saj – komentoi Papa Racinger – e nuk qenë të vetëdijshëm se po dënonin një shenjtëresh”.
Në proces të gjykimit e dënimit, kemi “një faqe të tmerrshme të historisë së shenjtërimit”, pasuar, vite pas vdekjes, me një proces të “anulimit” me vullnetin e Papës Kalistit III që njohu pafajësinë e shenjtëreshës së re e “besnikërinë e saj të plotë e të përsosur ndaj Kishës”.
Zhana, kujtoi Papa, “është pjesë a atyre figurave tipike të grave të forta e guximtare që në mbarim të mesjetës bartën pa frikë dritën në ngjarjet e ndërlikuara të historisë”, jetoi në një periudhë historike të veçantë e përkujtoi luftëra vëllavrasëse që tmerruan Evropën, e ajo ndër më të përgjakshme e më të tmerrshme qe lufta e Një qind vjetëve ndërmjet Francës e Anglisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.