2011-01-26 16:33:20

Franca nuk e miraton projektligjin mbi eutanazinë


(26.01.2011 RV)Senati francez hodhi poshtë dje projektligjin për eutanazinë. Kundër tij u mobilizuan si mazhoranca, ashtu edhe opozita, sëbashku me shoqatat, që luftojnë për jetën deri në fundin e saj të natyrshëm. Bëri përshtypje qëndrimi i kryeministrit Fransua Fijon, i cili zgjodhi shtypin për të komunikuar publikisht mendimin e tij: “Duhet të vendosim – shkruan ai në një artikull të gjatë – nëse shoqëria duhet të bëjë apo jo ligje, për t’i njohur vetvetes të drejtën të shkaktojë vdekjen. Sipas meje, ky kufi nuk duhet kapërcyer”.
Kryeministri kritikon edhe përkufizimin e pasaktë të fundit të jetës si edhe mungesën e detyrimit për t'u këshilluar me familjen e të sëmurit, duke u bazuar kështu, vetëm në dëshirën e një personi në prag të vdekjes, që dëshiron t’i japë fund jetës, për të mos vuajtur më tej. Në të vërtetë, në Francë ekziston një ligj për fundin e jetës. Pengon mjekimin përtej kufijve të arsyes, autorizon ndalimin e kurave nga ana e të sëmurit, disiplinon përdorimin e kurave paliative dhe i jep bazë ligjore testamentit biologjik.







All the contents on this site are copyrighted ©.