2011-01-26 17:49:48

EULEX-i nuk fillon hetimet pa të dhëna konkrete rreth trafikut të organeve


EULEX-i kërkon e pret të marrë më parë të dhënat mbi të cilat bazohen akuzat rreth trafikut të organeve për të nisë më pas procesin hetimor. Kështu deklaroi zëdhënësja e EULEX-it, Aleksandra Xhorxh duke pohuar se pavarësisht miratimit në Këshillin e Evropës të rezolutës së zviceranit Dick Marty, EULEX-i nuk mund të nisë asnjë hetim lidhur me akuzat për trafik organesh në Kosovë dhe Shqipëri, pa evidenca konkrete nga ana e hartuesit të raportit.
Aleksandra Xhorxh, shpjegoi se EULEX-i ka dërguar dy letra në adresë të Dick Marty, përmes të cilave i bën thirrje të furnizojë autoritetet e prokurorisë në kuadër të EULEX-it me çfarëdo informacioni që mund t'i ndriçonte akuzat e bëra në raportin e tij.
Raporti i zviceranit Marty akuzon kryeministrin në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi, ta ketë udhëhequr një grup të ish-ushtarëve të UÇK-së në trafikimin me organe njerëzore, armë dhe drogë.
Raporti përmend dhe “Shtëpinë e Verdhë”, për të cilën u fol më parë në librin e ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte. Hetimet, e zhvilluara në “Shtëpinë e Verdhë” nga Gjykata e Hagës, por edhe nga EULEX-i, nuk kane nxjerrë ndonjë fakt që do të mund të mbështeste akuzat se në atë vend është bërë trafikim organesh njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.