2011-01-26 16:33:08

Do të përurohet në Paris “Oborri i paganëve”


(26.01.2011 RV)Këshilli Papnor i Kulturës organizon në Paris, më 24 e 25 mars të këtij viti, përurimin e “Oborrit të Paganëve”, struktura e re e Vatikanit, që ka për qëllim favorizimin e shkëmbimit kulturor e të dialogut ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve.
Takimi do të ketë dy çaste kryesore. Së pari, bisedimet me temë “Feja, dritë dhe arsye e përbashkët”, që do të zhvillohen në selinë e Unescos, gjatë ceremonisë së përurimit, pasditen e 24 marsit; në Universitetin e Sorbonës, paraditen e së premtes, 25 mars dhe, në Institutin e Francës, pasditen e po asaj dite.
Së dyti, përurimi i “Oborrit të Paganëve” do të jetë një festë, ku mund të marrin pjesë të gjithë, sidomos të rinjtë. Quhet “Salloni i të panjohurit” dhe do të organizohet para katedrales Notre Dame de Paris, në mbrëmjen e 25 marsit. Krijime artistike, muzikë, skenografi, drita, tinguj, spektakël, takim e reflektim: këto do të jenë karakteristikat e festës, pas së cilës, katedralja do të mbetet e hapur për të gjithë ata, që dëshirojnë të marrin pjesë në një lutje e meditim të përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.