2011-01-26 17:50:34

Atë Skatolin, misionar në botën arabe: “Udha drejt demokracisë kërkon kohë”.


(26.01.2011 RV)“Problemi i rëndë i papunësisë, tensioni, që zgjat prej vitesh ndërmjet ekstremistëve e jo ekstremistëve dhe kriza kulturore, në vijim së paku prej dy shekujsh, pasojë e ballafaqimit ndërmjet traditës islamike e botës moderne”. Këto, sipas atë Gjuzepe Skatolin, misionar kombonian e studiues i mistikës islamike, janë shkaqet e krizës, me ngjyrime të forta ekonomike, që po trondit të gjitha vendet arabe.
Rruga drejt demokracisë kërkon kohë, sepse në këtë rrugë nuk mund të ecet pa përgatitjen e duhur kulturore – pohon rregulltari kombonian në një intervistë, dhënë agjensisë Fides. Sipas meje – vijon atë Skatolin - edhe pluraliteti i shprehjes duhet të kontribuojë për të krijuar indin, mbi bazën e të cilit mund të zhvillohet kultura e vërtetë demokratike.
Prej vitesh me banim në Kairo të Egjiptit, ku vijojnë manifestimet e protestës kundër qeverisë, rregulltari kombonian komenton edhe shkaqet e atentateve të kohëve të fundit kundër bashkësisë së krishterë në vend: “Ekstremizmi, që mbetet problem i mprehtë, është ushqyer edhe nga disa politika perëndimore, të cilat kanë kontribuar për t’u dhënë ekstremistëve argumente, që nuk kanë ndihmuar aspak në zgjidhjen e problemit. E duhet pasur kujdes të mos futen të gjithë arabët në një thes: në botën arabe ka shumë njerëz, që e kërkojnë paqen”- përfundon rregulltari kombonian.







All the contents on this site are copyrighted ©.