2011-01-26 12:17:30

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miraton raportin e Martyt


Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u miratua dje raporti i zviceranit Dick Marty. Raporti akuzon kryeministrin e Kosovës në largim Hashim Thaçi dhe disa prej ish-drejtuesve të UÇK-së për përfshirje në krimin e organizuar, përfshirë trafikun e organeve.
Në bazë të rekomandimeve të Komitetit për Drejtësi janë hedhur poshtë shumica e amendamenteve rreth raportit të Dick Martyt para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropë. Për rezolutën votuan 169 deputetë, kurse vetëm tetë ishin kundër.
Shumica nga eurodeputetët që morën pjesë në debatin e sotëm, e mbështetën raportin e Martyt rreth dyshimeve për trafikimin organeve në Kosovë nga pjesëtarë të UÇK-së.
Shqipëria e Turqia bënë përpjekje të përmirësonin draft-rezolutën me amendamente duke u munduar të zhdukin nga draft-rezoluta fjalët “prova” dhe “fakte”, për ti zëvendësuar ato me “dyshime” e “thashetheme”.
Deputeti i Shqipërisë, Ilir Rrusmajli arsyetonte amendamentet, por ato u rrëzuan nga raportuesi Dick Marty e Komiteti i Drejtësisë, dhe më votim të mbyllur u refuzuan nga shumica e eurodeputetëve.
I vetmi ndryshim që është bërë në draft-projektin është ndryshimi i titullit të tij në “Hetimi rreth dyshimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të organeve në Kosovë”.
Komitetit të Drejtësisë të Këshillit të Evropës i qenë dorëzuar 21 amendamente - katër nga Dick Marty dhe që të gjithë u miratuan, ndërsa 17 amendamentet tjera i patën dorëzuar delegacionet e Shqipërisë dhe Turqisë. /ngaTelegrafi/







All the contents on this site are copyrighted ©.