2011-01-25 13:35:09

U paraqit mesazhi i Papës për ditën botërore të komunikimeve shoqërore: Të krishterët në ueb me shpresë e krijimtari


(25.01.2011RV)Mesazhi i Papës për 45-vjetorin e Ditës Botërore të Komunikimeve Shoqërore u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Përveç drejtorit, atë Federiko Lombardi, folën, ndërmjet tjerëve, edhe kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli dhe imzot Paul Tighe, përkatësisht kryetar e sekretar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore.

Papa ka një vizion pozitiv për mjetet e komunikimit, ndonëse i njeh thellësisht, me të mirat e kufizimet e tyre: këtë theksoi imzot Çeli, duke shtuar se ky mesazh i ngarkon të krishterët me detyrën që të japin kontributin e tyre në ‘kontinentin dixhital”:
Në mesazh flitet për stilin e krishterë të pranisë: e kjo i jep kuptim edhe vetë titullit të mesazhit, që të kujton se dëshmia e veprimtarëve katolikë nuk mund të kufizohet vetëm në trajtimin e temave fetare, por duhet të manifestohet në planin e dëshmisë konkrete personale”.
Ndershmëri, përgjegjësi, respekt për tjetrin: ky, shtoi prelati, është stili i pranisë së krishterë në mjetet e komunikimit. E këtë stil përpiqet ta çojë përpara edhe dikasteri papnor i Komunikimeve Shoqërore.
Më pas atë Lombardi shpjegoi se Papa i ndjek me admirim e interes zhvillimet teknologjike të komunikimit. Është e vërtetë se Benedikti XVI vijon t’i shkruajë fjalimet tij me pendë, por kjo nuk e bën më pak të vetëdijshëm për rëndësinë e mjeteve si Youtube, siç shpjegoi atë Federiko Lombardi:
“Kur ia propozuam kanalin Youtube, ku do të dilte lajmi “Papa për Youtube”, i dhamë një skedë të plotë, që shpjegonte shumë mirë për çfarë bëhej fjalë e ai vuri BXVI e tij – siglën e tij, që e vë kur do të thotë se gjithçka është në rregull – se mund të ecet përpara e se është plotësisht dakord”.
Gjatë konferencës së shtypit, u vu në dukje se me rastin e Lumnimit të Papës Vojtila, bashkëpunimi ndërmjet Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore do të thellohet më tej. Më pas, imzot Çeli dha njoftimin për lindjen e një faqeje të re me lajme nga Vatikani, me përmasa të spikatura multimediale:
“Multimediale, sepse do të përfshijë edhe transmetime të Radio Vatikanit si dhe gjithë shërbimin posaçërisht të çmuar, të Qendrës Televizive vatikanase. Ju rrëfej, kam një dëshirë: të jetë operative për Pashkë. Një gjë është e sigurt: po punojmë intensivisht”.
Në përfundim atë Lombardi i njoftoi gazetarët se më 10 shkurt, në Muzetë e Vatikanit, do të përurohet një ekspozitë kushtuar 80-vjetorit të Radios së Papës.







All the contents on this site are copyrighted ©.