2011-01-25 16:30:06

Mesazh i Papës për Ditën Misionare: ungjillëzimi është shërbimi më i çmuar, që Kisha mund t’i bëjë njerëzimit


(25.01.2011 RV)Kisha nuk duhet të mbyllet në vetvete, por t’ua shpallë Ungjillin të gjithë popujve. Këtë kërkon Papa në Mesazhin për Ditën Misionare Botërore, i cili u bë i njohur sot. Dita do të kremtohet më 23 tetorin e ardhshëm. Benedikti XVI thekson se ungjillëzimi është një përmasë thelbësore në Kishë, një detyrë, që bëhet edhe më urgjente në epokën e shekullarizimit të shoqërisë, e cila bën që shumë të jetojnë sikur Zoti të mos ekzistonte. Ati i Shenjtë nuk mungon të nënvizojë se veprimtaria misionare duhet shoqëruar gjithnjë nga solidariteti për më të varfërit.
“Ungjilli – shkruan Papa – nuk është pasuri ekskluzive e atyre që e kanë pranuar, por një dhuratë, një Lajm i Mirë, që duhet komunikuar”. Detyra e çdo të pagëzuari është ta përhapë këtë Lajm e kjo është urgjente edhe sot. Pas dymijë vjetësh, akoma ka popuj që nuk e njohin Krishtin e nuk e kanë dëgjuar mesazhin e Tij të shëlbimit.
Në dokument, Benedikti XVI vëren se “shtohen radhët e atyre që, megjithëse e kanë dëgjuar shpalljen e Ungjillit, e kanë harruar ose braktisur”. Madje, edhe në shoqëritë tradicionalisht të krishtera, gjejmë njerëz, të cilët e kanë mënjanuar fenë nga jeta e tyre, duke rënë në relativizëm. Një mendësi kjo, që ngre në qiell mirëqënien, fitimin e lehtë, karrierën dhe suksesin, duke i vendosur në qendër të jetës e duke mënjanuar vlerat morale dhe etike. Në një situatë të tillë, misioni i Kishës është t’i nxisë njerëzit të kthehen në rrugën e këtyre vlerave.
Duke cituar Papën Pali VI, Benedikti XVI nënvizon se veprimtaria misionare duhet të tregojë kujdes të veçantë për solidaritetin. Është e papranueshme, shkruan Ati i Shenjtë, që veprimtaria ungjillëzuese të harrojë promovimin njerëzor, drejtësinë, çlirimin nga çdo formë shtypjeje, natyrisht, duke respektuar autonominë e sferës politike. Çinteresimi për problemet e njerëzimit tregon vetëm se është harruar mësimi i Ungjillit mbi dashurinë për të afërmin në nevojë. Në fund, Papa uron që Dita Misionare Botërore të gjallërojë në shpirtin e secilit dëshirën dhe gëzimin për t’u çuar të gjithëve Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.