2011-01-24 16:37:05

Rama shkon tek presidenti: protestë e re më 28 janar


(24.01.2011 RV)Ndërsa Shqipëria qan të vrarët në protestën e 21 janarit në Tiranë, vendi është i përfshirë nga një debat pa precedent, me tone jashtëzakonisht të ndezura, për të gjetur kush e ka fajin e për të fituar përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo e fundit, duke filluar nga Italia tek Komisioni Evropian e të tjerë, pasi dënon dhunën, i bën thirrje politikës të ulet në tryezën e bisedimeve, i vetmi vend nga ku mund të dalë një zgjidhje e qëndrueshme për situatën e krijuar.
Ndërkaq, sot, Gjykata e Tiranës shqyrtoi aktpaditë për 113 manifestuesit e arrestuar, duke dhënë vendimin burg 20 ditësh për disa, ndërsa për disa të tjerë, detyrim me paraqitje. Për gjashtë anëtarë të Gardës së Republikës është lëshuar mandat-arresti, por asnjëri prej tyre nuk është arrestuar akoma. Gardistët e palgosur mjekohen në kryeministri.
Sot, lideri i opozitës, Edi Rama u takua me presidentin e Republikës, Bamir Topi. Pas takimit, ai lajmëroi se të premten më 28 janar, opozita do të organizojë një manifestim tjetër në Bulevardin e Tiranës, në të cilin paqësisht do të protestojë e do të kujtojë tre të vrarët e javës së kaluar. Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar Ramën si organizator i një grushti shteti dhe ka lavdëruar sjelljen e policisë e të forcave të rendit gjatë protestës së 21 janarit. Kuvendi, me votat e mazhorancës e pa opozitën, miratoi mbrëmë ngritjen e një Komisioni hetimor për ngjarjet e javës së kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.