2011-01-24 19:49:42

Papa luteranëve gjermanë: ta shikojmë ardhmërinë me shpresë, ndonëse caku i bashkimit duket më i largët.


(24.01.2011 RV)Impenjimi ynë për bashkim, mund të lidhë fryte, vetëm në se i ka rrënjët në lutjen e përbashkët! Me këto fjalë iu drejtua Papa delegacionit të Kishës evangjelike luterane gjermane, të cilin e priti sot paradite në Vatikan, një ditë para mbylljes të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Edhe pse caku i bashkimit të plotë e të dukshëm të të krishterëve të krijon përshtypjen se është larguar më tej – pohoi Benedikti XVI – ne duhet ta shikojmë ardhmërinë me shpresë.
Më se 50 vjet pune të paprerë: ndonëse ndryshimet teologjike mbi çështje pjesërisht themelore, mbeten, dialogu ndërmjet luteranëve e katolikëve – nënvizoi Benedikti XVI – e ka ndërtuar bazën e bashkimit të jetuar. E kjo nuk është vetëm strategji e komunikimit, në një botë që ndryshon çdo ditë, por është e mbetet detyrë themelore e Kishës, duke u nisur nga vetë misioni i saj. Pa fshehur shqetësimet e shumë të krishterëve për frytet e dialogut, ende të papranuara në masën e duhur nga partnerët ekumenikë, sidomos përsa i përket kuptimit të Kishës e të Ministerit, Papa foli për shpresë: mbi të gjitha, në dialogun teologjik, për çështjet e hapura, që pengojnë udhën e bashkimit të dukshëm e të kremtimit të përbashkët të Eukaristisë, si sakrament i unitetit të të krishterëve.Ndërmjet temave për t’u diskutuar, Papa kujtoi çështjet urgjente, që kanë lidhje me familjen, martesën e seksualitetin, të cilat nuk mund të mos shtrohen për diskutim, vetëm për të mos vënë në rrezik mirëkuptimin ekumenik. Sot dialogu ekumenik – vijoi Benedikti XVI - nuk mund të shkëputet nga realiteti e as nga jeta fetare e Kishave tona, pa i dëmtuar, në radhë të parë, vetë Kishat.







All the contents on this site are copyrighted ©.