2011-01-24 18:32:13

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: impenjimi serioz i kthimit në Krishtin, është udha që e çon Kishën drejt bashkimit të plotë të dukshëm.


(24.01.2011 RV)Në Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të përfundojë nesër, Benedikti XVI nënvizoi, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot se ‘impenjimi serioz i kthimit në udhën e Krishtit, i prin Kishës drejt bashkimit të plotë. Papa theksoi edhe një herë katër themelet, mbi të cilat të krishterët duhet ta ndërtojnë jetën e tyre, për ta dëshmuar, kështu, me vërtetësi, Ungjillin e Krishtit.RealAudioMP3
Benedikti XVI kujtoi se thirrja e Ungjillit për të bërë kthesë, sepse mbretëria e Zotit është afër, mbetet gjithnjë aktuale:
“Impenjimi serioz i kthimit në Krishtin, është udha që e çon Kishën, kur të dojë Zoti, në bashkimin e plotë të dukshëm”.
Shenja që flasin qartë për këtë udhë ekumenike, janë takimet e shpeshta, që po zhvillohen këto ditë në mbarë botën. Përveç tyre, sot - siç kujtoi dje Papa - në Romë nisi një sesion i takimit të Komisionit për dialogun teologjik të Kishës Katolike me Kishat e Lashta Lindore. E është shumë domethënës fakti – nënvizoi Ati i Shenjtë - që tema e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve: “Të bashkuar në dëgjimin e Apostujve, në ndarjen e përbashkët të pasurive, në thyerjen e bukës eukaristike, në lutje”, u propozua nga Kishat dhe bashkësitë e krishtera të Jeruzalemit, gjatë një takimi me frymë ekumenike:
E dimë sa prova duhet të përballojnë vëllezërit e motrat e Tokës Shenjte e të Lindjes së Mesme. E shërbimi i tyre bëhet edhe më i çmuar, sepse përforcohet me dëshmi, të cilat në disa raste, arrijnë deri në flijimin e jetës. Prandaj, në sa pranojmë me gëzim pikat e reflektimit, propozuar nga bashkësitë që jetojnë në Jeruzalem, shtrëngohemi rreth tyre, e kjo përbën për të gjithë një element të ri bashkimi”.
Benedikti XVI nënvizoi, më pas, se edhe sot e kësaj dite të krishterët, që duan të jenë shenjë e mjet i bashkimit të njeriut me Zotin e njeriut me të tjerët, duhet ta ndërtojnë jetën e tyre mbi katër themele...:
“... mbi themelin e fesë së Apostujve, transmetuar në traditën e gjallë të Kishës, mbi bashkimin vëllazëror, Eukaristinë e lutjen. Vetëm kështu, duke qenë gjithnjë të bashkuar thellësisht me Krishtin, Kisha mund ta kryejë me sukses misionin e vet, pavarësisht nga kufizimet, nga gabimet e anëtarëve të saj e nga përçarjet”.
Përçarje – vërejti Ati i Shenjtë - që nisën në bashkësinë e Korintit qysh në kohën e Shën Palit Apostull, siç na e kujton Letra II biblike e kësaj së diele, në të cilën Apostulli i Popujve u bën thirrje Korintianëve: “Ju përbej, o vëllezër, pash Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: të jini të gjithë njëmendjeje e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë në ndjenja e mendime:
“Apostulli kishte marrë vesh se në bashkësinë e krishterë të Korintit kishin nisur grindjet e përçarjet, prandaj, me vendosmëri të madhe, shton: “Vallë qenka i ndarë Krishti? (1, 13). E duke u shprehur kështu, ai pohon se çdo përçarje në gjirin e Kishës s’është tjetër, veçse fyerje që i bëhet Krishtit; e njëkohësisht, se vetëm në Të, që është i vetmi kryetar e Zot, mund të bashkohemi përsëri, përmes forcës së pashterrshme të hirit të tij”.
Duke ndjekur mësimin e Shën Palit – theksoi Papa - grishemi të braktisim rrugën e përçarjeve tona e t’i çojmë të gjithëve Lajmin e mirë të Krishtit të ngjallur. Ta lusim Zotin – tha në përfundim Ati i Shenjtë, duke përshëndetur shtegtarët francezë – që të arrijë sa më shpejt ajo kohë, kur do ta shikojmë Kishën plotësisht të bashkuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.