Shenjtorët e Javës 23 - 30 janar sipas Kalendarit kishtar
Sot, e dielë, 23 janar, Kisha kremton të dielën e 3-të gjatë vitit liturgjik
e po më 23 janar bie edhe përkujtimi i shën Emerencianës, martire romake dhe shën
Ildefonsit, ipeshkëv i Toledos. Po kështu këtë të diel bie dita e gjashtë e Javës
së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, na kujtojnë se Zoti i thërret Kishat t’ia
shpallin fjalën e tij botës, t’ia çojnë lajmin e mirë atyre që jetojnë në mjerim.
Prandaj Kishat nuk mund të heshtin kur forcat e jashtme e pengojnë këtë mishërim të
Fjalës në zemrat njerëzore.
Të hënën më 24 janar, kalendari liturgjik
përkujton festën e Shën Françeskut të Sales, ipeshkëv i Gjenevës dhe doktor i Kishës,
themelues i Urdhrit të Vizitacionit, pajtor i shtypit katolik. Po këtë ditë bie Dita
e shtatë e Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve na kujtojnë se sa më tepër
t’i afrohemi Kryqit të Krishtit, aq më shumë i afrohemi edhe njëri-tjetrit. Krishti
dha jetën për të gjithë. Jeta e Kishës duhet ta shprehë këtë unitet.
Të
martën që vjen 25 janar, bie dita e tetë dhe e fundit e Javës së Lutjes për Bashkimin
e të Krishterëve dhe festa e Kthimit të Shën Palit Apostull në fenë e Jezu Krishtit,
që na kujton se Ai, Shpëtimtari i njerëzimit u ngjall, duke e shndërruar vdekjen në
jetë.
Të mërkurën e ardhshme më 26 janar do të kremtohen Shën Timoteu
e Shën Titi, ipeshkvij, nxënës të Shën Palit si dhe Shën Paola, matronë romake. Liturgjia
e festës së tyre na kujton se Apostujve, të cilët duan të dalin mbi të tjerët, Jezusi
u paraqet vetveten si model shërbimi.
Të enjten më 27 janar, sipas kalendarit
liturgjik bie përkujtimi i Shën Angela Meriçit, virgjër, themeluese e Orsolineve si
dhe Shën Vitalianit papë. Liturgjia e ditës na kujton se derisa kthehen nga misioni,
apostujt rrezikohen të bien në triumfalizëm, por Jezusi u kujton se duhet të jenë
gjithnjë shërbëtorë të përvujtë të njerëzve. Të premten që vjen më 28 janar,
kalendari Kishtar përkujton Shën Tomën së Akuinit, meshtar dominikan, doktor i Kishës,
pajtor i shkollave katolike. Ky teolog i madh i njëmijë e dyqindës, Shën Toma i Akuinit,
që dëshmoi me vepra se ndërmjet fesë së krishterë e arsyes ka harmoni të natyrshme.
Të
shtunën më 29 janar, Kisha do të kremtojë Shën Kostancin, ipeshkëv i Perugjës
dhe Shenjtorët Papia e Mauri, ushtarë martirë. Na kujtojnë se Krishti kërkon edhe
shëlbimin e paganëve e se ai ngadhënjen mbi vdekjen e mbi të gjithë shpirtrat e ndyrë.
Ngjallja e Jezusit hapi rrugën për t’ia predikuar Ungjillin mbarë njerëzimit.
Të
dielën e ardhshme, 30 janar, Kisha kremton të dielën e 4-të gjatë vitit liturgjik
kishtar, e po më 30 janar, kalendari përkujton edhe festën e Shën Martinës, martire,
që na kujton se fuqia që del nga Jezusi shëron e jep jetë. Kush është me të, kush
e prek, kush e takon e e mikpret, fiton nga Zoti jetën e pasosur.