2011-01-21 19:23:00

Spitali romak i “Krishtit Fëmijë”: kardinali Bertone përuron shtëpinë e pritjes “Bellosguardo”.


(21.01.2011 RV)“Një qendër e çmuar, që harmonizon kujdesin mjekësor me ngrohtësinë njerëzore e me atmosferën e kujdesit familjar”. Kështu u shpreh kardinali Bertone, duke përuruar Shtëpinë e pritjes “Bellosguardo”. E drejtuar nga fondacioni për fëmijët Ronald McDonald, struktura do të përbujë fëmijët, që mjekohen pranë Spitalit të Krishtit Fëmijë dhe familjet e tyre, të cilat shpesh nuk kanë mundësi të qëndrojnë gjatë në Romë, ose vijnë nga vendet më të varfëra të botës, per periudha tepër të gjata.RealAudioMP3
Ç’do të thotë kjo strehë, me emrin domethënës “Shikimbukura”, e kuptojnë fare mirë prindërit shqiptarë, jo të paktë, që kanë pasur rastin të strehohen me dashuri të thellë në këtë Spital, duke qëndruar gjatë gjithë mjekimit pranë fëmijëve të tyre, ndonëse jo pa vështirësi. E pikërisht për t’i kapërcyer këto vështirësi lindi edhe ideja e krijimit të një strehe të posaçme për këta fëmijë e prindërit e tyre që, kur të arrijnë në Spital, në majën e kodrës mahnitëse të Gjanikolos, prej nga shikimit i hapet panorama madhështore e Romës, të mos e shikojnë këtë panoramë me sy të trishtuar, duke menduar se nuk kanë vend ku të strehohen. I Zoti i shtëpisë, Krishti Fëmijë, ia hap portat e shtëpisë bashkëmoshtarëve e prindërve të tyre, që t’i përbujë në strehën e tij, t’i shërojë me mjekët e tij, me ilaçet e tij, por mbi të gjitha, me pushtetin e tij jetëdhënës, që ka forcë të ngrejë edhe të vdekurin nga varri.

Po cilët janë mysafirët e shtëpisë së re? Janë të sëmurët e vegjël të reparteve të onkologjisë e të kirurgjisë të të posalindurve të Spitalit të Krishtit Fëmijë dhe familjarët e tyre. E ngritur në mes të një parku shekullor, ndërtesa, një vilë e viteve ’20, ka 17 apartamente të vogla, me të gjitha pajisjet, që të kujtojnë atmosferën e shtëpisë, ku mund të jetohet me qetësi faza më e vështirë e sëmundjes, ajo e mjekimeve të vazhdueshme, kur nuk është i nevojshëm shtrimi në spital. Ky është “Bellosguardo” – tha kardinali Bertone, duke vizituar strukturën, ku u takua me njerëz të ardhur nga vende të largëta, që flasin gjuhë të ndryshme, por që brenda këtyre mureve gjejnë gjuhën e përbashkët, atë të dashurisë e të solidaritetit. T’i dëgjojmë fjalët e kardinalit Bertone:
Bellosguardo, së bashku me shtëpinë Palidoro dhe realitete të tjera, strehë për njerëzit, të cilët kanë nevojë t’i qëndrojnë pranë atij që vuan e kërkon shërim të plotë, është i domosdoshëm. Ngrihet mbi bazën e konceptit të mikpritjes e të kujdesit familjar e mjekësor. Pa të, çdo mjekim, sado efikas, do të kishte rezultate të pjesshme. E dimë se spitali në vetvete nuk është vend i përshtatshëm për fëmijët, prandaj do të ishte e mira të kalonin atje sa më pak kohë që të jetë e mundur. Prej këndej, duhet theksuar se janë edhe më të çmuara forma të tilla, pranë spitaleve, që krijojnë mundësinë për ndjekjen me sukses të mjekimeve, në atmosferën e ngrohtë familjare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.