2011-01-21 19:21:21

Papa Kuesturës së Romës: morali i shëndoshë personal i jep forcë drejtësisë dhe institucioneve.


(21.01.2011 RV)Në shoqërinë e sotme vërejmë një farë dobësimi të parimeve etike e të sjelljeve morale vetjake, që i japin forcë këtyre parimeve. Këtë pohoi sot Papa Benedikti XVI, duke pritur në audiencë, në Vatikan, drejtuesit dhe punonjësit e Kuesturës së Romës. Papa i nxiti të krishterët ta praktikojnë me vendosmëri fenë e tyre në shoqëri, duke uruar edhe që shoqëria e institucionet publike ta gjejnë përsëri shpirtin e humbur.
Edhe “qyteti i amshuar” ndryshon vazhdimisht. E jo të gjitha ndryshimet janë shembullore. Benedikti XVI reflektoi pikërisht mbi ndryshimet që vërehen në jetën e përditshme të Romës e mbi shqetësimet, jo të pakta, që lindin prej tyre:RealAudioMP3
“Këto ndryshime krijojnë nganjëherë një ndjenjë pasigurie, e cila buron, në radhë të parë, nga gjendja shoqërore dhe ekonomike e pasigurt. Pasiguria bëhet edhe më e mprehtë për shkak të dobësimit të perceptimit të parimeve etike, mbi të cilat bazohet drejtësia si dhe të sjelljeve morale vetjake, që i japin gjithnjë forcë ligjit”.
Një prirje e tillë - vijoi Papa, të krijon përshtypjen se në botën tonë, ku nuk mungojnë shpresat e mundësitë e reja, duket sikur mungon qëndrimi i drejtë moral e, si pasojë, strukturat, që janë në bazë të bashkëjetesës nuk arrijnë të funksionojnë plotësisht. Prej këndej njerëzit mund të tundohen … :
“ ... të mendojnë se forcat e mobilizuara për mbrojtjen e shoqërisë civile nuk janë në gjendje ta kryejnë me sukses detyrën e tyre. Përballë këtij tundimi, në mënyrë të veçantë ne, që jemi të krishterë, kemi përgjegjësinë ta praktikojmë me vendosmëri të re fenë tonë e të sillemi në përkim me parimet e saj, duke vijuar me guxim veprimtarinë , gjithnjë pranë njerëzve, në gëzimet e vuajtjet e tyre, në orët e lumtura e në orët e errëta të jetës tokësore”.
Benedikti XVI u rikthye tek tema, e trajtuar shumë herë, e përmasës subjektive të jetës. Duke e përqendruar vëmendjen mbi këtë aspekt, Papa theksoi se është mirë të vihet vazhdimisht në dukje vlera e ndërgjegjes njerëzore. Por në këtë drejtim – shtoi - jemi para një rreziku të madh:
“Në mendimin modern është krijuar një viziom, i cili e ngushton shumë ndërgjegjen; sipas tij, nuk ka referime objektive, që përcaktojnë çka vlen e çka nuk vlen, çka është e vërtetë e çka nuk është; metri me të cilin duhet matur ndërgjegjja është vetë individi, me hamendjet e përvojën e tij; prej këndej, secili ka të vërtetën e vet, moralin e vet. Pasoja më e dukshme e një mendësie të tillë është prirja për ta kufizuar fenë e moralin në jetën shpirtërore të subjektit, në sferën e tij private: fesë, me vlerat e saj e me sjelljet e saj, nuk i njihet më e drejta të ketë vend në jetën civile e publike”.
E kështu - vijoi të theksojë Papa - jemi përballë paradoksit të shoqërisë aktuale, në të cilën i jepet rëndësi e dorës së parë pluralizmit e tolerancës, e njëkohësisht:
“Prirjes progresive për ta mënjanuar fenë e për ta konsideruar si një gjë pa rëndësi, madje, në një farë mënyre, si mish i huaj në botën e qytetëruar, që duhet të ndikojë sa më pak të jetë e mundur mbi jetën e njeriut, e që, prandaj duhet kufizuar. Përkundrazi, për ne të krishterët, “ndërgjegjja” ka kuptimin e aftësisë së njeriut për ta njohur të vërtetën, e akoma para se ta njohë, për ta ndjerë fort nevojën e saj, për ta kërkuar e për ta gjetur”.
Njeriu – pohoi Benedikti XVI - është shprehje e planit të dashurisë e të vërtetësisë: Zoti e planifikoi, në se mund të shprehemi kështu, me shpirt, me ndërgjegje, që të mund të kultivojë vetveten e shoqërinë njerëzore:
“Sfidat e reja, të cilat duken në horizont, kërkojnë që Zoti e njeriu të ritakohen, që shoqëria e institucionet publike të rigjejnë shpirtin e tyre, rrënjët e tyre shpirtërore e morale, për t’i dhënë forcë të re vlerave etike e juridike e, prej këndej, edhe veprimtarisë praktike. Feja e krishterë e Kisha vijojnë të ofrojnë kontributin e tyre për promovimin e së mirës së përbashkët dhe për progresin e vërtetë njerëzor”.
Duke e njohur nga afër punën e kryer prej Kuesturs së Romës, Papa e përfundoi fjalimin me ftesën drejtuar punonjësve të saj për të dhënë një shembull sa më pozitiv, duke jetuar të përditshmen sipas parimeve të fesë së krishterë e duke i harmonizuar mjetet e sistemet e sigurimit, me virtytet njerëzore si durimi, dëshira për të bërë mirë, flijimi e gatishmëria për ta dëgjuar e për ta ndihmuar tjetrin.







All the contents on this site are copyrighted ©.