2011-01-21 19:21:32

Në përkujtimin e Shën Anjezes, sipas traditës, Papa bekoi dy qingja


(21.01.2011 RV)Sot, në përkujtimin liturgjik të Shën Anjezes, Papës iu paraqitën dy qingjat, leshi i të cilëve do të shërbejë për endjen e paliove, që do t’u dorëzohen, pastaj kryeipeshkvijve metropolitë.

Si çdo vit, sot, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, Papa bekoi dy qingja, të cilët arritën në Vatikan nga Bazilika në Rrugën Nomentana, kushtuar Virgjërës e Martires romake. Qingjat, larë e zbukuruar nga motrat e Familjes së Shenjtë, të cilat e kryejnë këtë detyrë që prej 130 vjetësh, iu paraqitën Benediktit XVI në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre do të përdoret për endjen e paliove, të cilat, si të jenë bekuar nga Papa, do të vendosen në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty, më 29 qershor, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit.
Shumë e pasur është simbolika e palios - një fashë leshi e bardhë, e gjërë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe të qindisur me mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë të çmuar.
Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi metropolit duhet të marrë nga papa palion.
Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhet në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit ka bërë betimin për besnikëri.
Metropoliti e vë palion vetëm në meshët pontifikale të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Palio ka karakter personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo.
Për herë të parë palio nisi të përdorej aty nga gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun e Shën Vitales të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI. Kjo traditë lidhet ngushtë me martirizimin e Shën Anjezes, vashës romake, që pësoi mundimet për Krishtin gjatë persekutimit të Decios ose të Dioklecianit, ndërmjet shekujve III e IV, sepse e dëshmoi Krishtin në një periudhë, kur shumë besimtarë e mohonin, për të shpëtuar jetën. Anjezja, që nuk i kishte mbushur ende të dymbëdhjetë vjetët, nuk pranoi ta mohonte Zotin. Atëherë u godit me shpatë në grykë: u ther, si theren qingjat e njomë, të pafaj. Prandaj ikonografia e paraqet shpesh me një qingj, simbol i Krishtit të kryqëzuar për shëlbimin e njerëzimit.Liturgjia e festës së saj na kujton se Zoti zgjedh krijesa të brishta e të buta, për të përballuar pushtetin, në dukje të pathyeshëm, të botës, duke na ftuar t’i lutemi Vashës martire të ndërmjetësojë, që të ndjekim gjurmët e saj në fe, duke e kumtuar me heroizëm, në çdo rrethanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.